Ish kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit për rastin e rezervave shtetërore për blerjen e grurit, miellit dhe vajit.
Tahiri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Kosova po dridhet prej tërmetit të korrupsionit.
“Vera është për pushime, por Kosova po dridhet prej tërmetit të korrupsionit – që s’ka të ndal”, ka shkruar Tahiri.
Ndryshe, ditë më parë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policia e Kosovës-Njësia e Veçantë e hetimeve realizoi bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku arrestoi drejtorin e Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretarin Irfan Lipovica.
Po ashtu u arrestua edhe Ridvan Muharremi, person që u raportua i afërt me kryeministrin Albin Kurti.
Gjykata Themelore në Prishtinë Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 19 gushtit 2023, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), tre të dyshuarve për aferën me rezervat shtetërore, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi. /Telegrafi/