Site icon Telegrafi

Afera e çuditshme e Gjermanisë së pasluftës me krautrok

Tingulli i së ardhmes: Grupi krautrok, Kraftwerk, në Tokio më 1981 (Foto: Koh Hasebe/Shinko Music/Getty Images)

Nga: Poppie Platt / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Nga rokënroli në xhaz, nga bluzi në granxh, lëvizjet muzikore shpeshherë kanë lindur nga konflikti njerëzor. Shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore – më shumë se 75 milionë të vdekur; Koventri, Dresdeni dhe Varshava të shndërruara në gërmadha; njerëzit e zakonshëm të cilët gjatë gjithë jetës vuanin nga stresi postraumatik … u pasuan nga një revolucion i paprecedentë kulturor.

Në Britani dhe në Amerikë kjo nënkuptonte vajzat adoleshente që çmendeshin pas grupeve Beatles dhe Rolling Stones, të rinjtë që eksperimentonin me drogën dhe të cilët vatrën shpirtërore e gjenin në muzikën e grupeve Pink Floyd ose Led Zeppelin, pastaj ishin eksperimentimet me filma, art pamor dhe letërsi.

Lexo po ashtu Krautroku: Grupet e viteve 1970 që ndihmuan Gjermaninë e pasluftës për të kapërcyer historinë e saj të errët

Por, në Gjermaninë e viteve 1950 dhe 1960, një brez detyrohej të përballej me tmerrin e historisë. Adoleshentët ktheheshin në shkollat e bombarduara, për të kuptuar se mësuesit e tyre ende përshtateshin me ideologjinë naziste; prindërit dhe gjyshërit e tyre mbetën të prangosur nga konservatorizmi; ata të cilët kishin sfiduar Rajhun e Tretë, ose kishin vdekur ose ishin kthyer në shtëpi nga kampet e burgut – të lënduar dhe të thyer. Muzikanti Günter Schickert i treshes GAM, kështu e përshkruan situatën në librin Neu Klang: The Definitive History of Krautrock të Christoph Dallachut: “I morën të mbijetuarit dhe ua bënë disa pyetje të shpejta dhe gjithçka mbaroi – ata u denazifikuan dhe mund të ktheheshin në punë”.

Infrastruktura dhe harmonia e gjeneratave nuk ishin pjesët e vetme të shoqërisë gjermane që ishin zhdukur. Irmin Schmidt, tastieristi i grupit CAN, thotë se ndjenjat e rrënjosura të turpit, të pikëllimit dhe tradhtisë nënkuptonin se në vitet 1950 dhe 1960 “Gjermania ishte shkatërruar dhe e gjithë kultura e saj bashkë me të”.

Të rinjtë gjermanë të cilët luftonin me identitetin, më vonë nuk u inkurajuan nga këmbëngulja e gazetarëve britanikë të muzikës, John Peel dhe Richard Williams, për etiketimin e zhanrit të ri në zhvillim si “krautrok”. “Kraut” ishte fjalë e ndyrë, e thënë si fyerje nga ushtarët aleatë. Sipas pionierëve Michael Rother nga Kraftwerk dhe Klaus Schulze nga Tangerine Dream, kjo fliste për një refuzim nga Perëndimi – për të pranuar se adoleshentët e Gjermanisë përpiqeshin të ishin ndryshe. Siç thotë Lutz Ludwig Kramer nga Agitation Free: “U ndamë me strukturat – si mund të na jepnin një emër kaq të prapambetur”?

Edhe mendjet në dukje më të matura, i trajtuan si mëkatarë. Achim Reichel, grupi i të cilit Rattles hapi koncertin e grupit Beatles në vitin 1966, kishte parë John Lennonin në skenë në Klubin “Star” në Hamburg, duke imituar përshëndetjen e Hitlerit – për inat të audiencës.

Të ndikuar nga xhazi, hipikët, politikat e majta studentore dhe në fund nga ardhja e kompjuterëve, grupet krautrok si Tangerine Dream, CAN, Faust dhe Kraftwerk kanë tinguj të ndryshëm, por frymëzim të përbashkët: përpiqeshin të ktheheshin në qenësinë gjermane. Nuk duket e kotë të supozohet se mbështetja e krautrokut në elektronikë ishte kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj stilit të jetesës së vjetër bukolike që ishte ideal nën Firerin.

Neu Klang është ambicioz në shtrirje dhe bëhet e qartë se studimi i krautrorokut (dhe muzikës) në vetvete e luan violinën e dytë pas aspektit sociologjik dhe politik. Kështu, rrëfimi bëhet i ndërlikuar: një seri e madhe e intervistave me pothuajse çdo muzikant nga skena që mund ta mendoni – një që mungon është ai i themeluesit të Tangerine Dream, Edgar Froese, i cili vdiq më 2015 – krahas kapitujve të ndarë sipas temave.

Ka pjesë për flokët (sa më gjatë, aq më mirë), udhëtimet (kontinenti afrikan dhe India ishin shumë “in”) dhe klubet e njohura si “Zodiac Free Arts Lab”. Mësojmë për përdorimin e gjerë të LSD-së dhe hashashit dhe se ku po i çonin ato të rinjtë: mbledhjet masive si Komuna 1 e Berlinit Perëndimor, e mbushur me fëmijë të pasur, me modele dhe kitaristë të fiksuar pas orgjive. Dhe, Dallachu gërmon vrasjen e vitit 1968 të studentit Benno Ohnesorg nga një oficer policie – vrasje kjo që ndryshoi gjithçka, duke bashkuar të rinj dhe të moshuar në neverinë e përbashkët.

Libri është i shkapërderdhur dhe autori nuk heq dorë nga proza në favor të transkriptimeve të shkurtra dhe të paqëndrueshme. Duhet ta deshifroni vetë, t’i hartoni përfundimet tuaja – një detyrë e frikshme kur përballeni me katër dekada dhe një zhanër kaq të pakapshëm. Intervistat janë vazhdimisht magjepsëse, por dështimi i Dallachut për të analizuar gjetjet e veta, bën që Neu Klang të duket i paplotë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version