Numri i personave të hospitalizuar në SHBA për shkak të coronavirusit arriti në 96 mijë të hënën, bazuar në të dhënat e përpiluara nga Projekti i Gjurmimit nga The Atlantic.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, shifra e fundit është më shumë se dyfishi i numrit të regjistruar një muaj më parë kur 46 mijë pacientë u raportuan të shtruar në spitale deri më 30 tetor.
Rreth 12 parashikime të cituara nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vlerësojnë se do të ketë rreth 6,700 deri në 30 mijë të hospitalizuar në ditë nga java që fillon më 25 nëntor.
SHBA-ja si zona më e goditur në botë nga pandemia e coronavirusit ka regjistruar deri më tani 13 milionë raste me coronavirus dhe 268 mijë viktima.
Eksperti i lartë i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci, ka deklaruar se pandemia nuk do të përfundojë derisa “shumica dërrmuese” e njerëzve në SHBA të vaksinohen. /Telegrafi/