Raporti i përgatitur nga Agjencia e Fluturimeve Civile (AFC) për zhvillimet e 4 janarit në M-NAV konstaton se në periudhën kritike kur edhe ka ndodhur incidenti, nuk ka pasur pasoja në sigurinë e komunikacionit ajror. Tomisllav Tuntev në intervistë për MIA ka shpjeguar se para, gjatë dhe pas incidentit asnjë fluturim nuk ka mbetur pa shërbim kontrollues.
“Për 16 minuta sa ka zgjatur incidenti nuk është evidentuar asnjë denoncim as nga pilotët, as nga kontrolluesit dhe as nga personeli i Aeroportit. Asnjë fluturim gjatë incidentit dhe pas tij nuk ka mbetur pa navigim standard të cilën e shërben M-NAV”, tha Tomisllav Tuntev, Drejtor i AFC-së.
Tuntev ka shtuar se veprimet e ndërmarra që kanë çuar deri tek incidenti kanë ardhur si pasojë që disa persona kanë shkelur procedurat për qasje deri në hapësirat e caktuara, ndërsa siguria që duhej të ishte e garantuar nuk ka qenë në nivelin e paraparë me protokoll.
“Dikush me vet dëshirë ka marr të drejtën për të mos i respektuar procedurat dhe të vepron sipas bindjeve të veta. Kjo ka pasuar me qasje të paautorizuar deri tek hapësirat zyrtare të M-NAV, por jo në sallën operative aty ku realizohet komunikimi mes avionëve dhe kontrollorëve”, deklaroi Tomisllav Tuntev, Drejtor i AFC-së.
Incidenti në M-NAV ndodhi më 4 janar. 8 personat e dyshuar për këtë vepër përfshi edhe kreun e BDI-së në Çair, ndodhen në arrest shtëpie mbi dyshimet për “cenim të komunikacionit ajror”. Pas incidentit Qeveria shkarkoi dy drejtorë dhe rekomandoi emërimin e dy drejtorëve të rinj. Motiv për sulmin u bënë konkurset për kontrollor dhe tendencat e partive në pushtet për të sistemuar familjarët e tyre në institucionin me rroga të majme.
Përveç raportit për incidentin, Qeveria ka paralajmëruar një mbikëqyrje edhe ndaj punës së sindikatave të kontrollorëve dhe punonjësve në Agjencinë e Flurimeve Civile dhe M-NAV. Ndërkohë hetimi për zhvillimet e 4 janarit akoma nuk është shtruar në akuzë./Alsat/