Marrja e pronësisë së re nga Chelsea pritet të arrijë një përfundim të shpejtë, pasi do të ndodh brenda tri javësh gjatë muajit prill.
Katër ofertuesve të mbetur u është dhënë afat deri më 11 prill për të përmirësuar ofertën e tyre për të blerë gjigantët e Ligës Premier.
Sipas London Evening Standard, Raine Group, të cilët janë duke mbikëqyrur blerjen, duan të paraqesin zgjedhjen e tyre të preferuar në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që në 18 prill.
Raine Group fillimisht ka planifikuar të paraqesë preferencën e tyre në fund të prillit.
Dy javët e ardhshme janë jetike për të vendosur se cilët do të jenë pronarët e ardhshëm të klubit londinez.
Kandidatët në listën e ngushtë pritet të konsultohen me anëtarët kryesorë të klubit të Chelsea – duke përfshirë kryetarin Bruce Buck dhe drejtoreshën Marina Granovskaia – për të vlerësuar gjendjen e klubit.
Ata gjithashtu do të parashtrojnë vizionet e tyre për të ardhmen e Bluve.
Sir Martin Broughton, familja Ricketts, Todd Boehly dhe Stephen Pagliuca janë informuar të gjithë për procesin.
Katër kandidatët do të kenë akses të plotë në llogaritë e Chelseat dhe gjithashtu mund të takohen me menaxherin e ekipit të parë Thomas Tuchel.
Pasi Raine Group të ketë paraqitur një ofertë në Thesarin e Mbretërisë së Bashkuar, atëherë ata do të duhet të kalojnë testin e pronarëve dhe drejtorëve të Ligës Premier.
Ky proces ka zgjatur vetëm 10 ditë në të kaluarën.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, u vu nën sanksione nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, duke bërë që klubi të shitet sa më shpejt që është e mundur. /Telegrafi/