Telegrafi

Afati për shpalljen e zgjedhjeve lokale deri më pesë mars

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) rikujton aktorët politik të vendit se u mbeten edhe një javë deri më 5 mars të formojnë qeveri, mbledhin kuvendin me qëllim që të shpallin zgjedhjet e parakohshme në përputhje me Kodin Zgjedhor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Anëtari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, thotë se sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të mbahen më 14 maj, ndërsa duhet të shpallen 70 ditë para kësaj date.

“Neni 12 i Kodit Zgjedhor është decid, ku potencon se kryetari i parlamentit duhet t’i shpallë zgjedhjet lokale për zgjedhje të këshillave komunal dhe kryetarëve të komunave në afat prej paku 70 ditë para datës të përcaktuar nga vetë kryetari i parlamentit për mbajtjen e zgjedhjeve. Dhe nëse bëjmë një analizë të kësaj do të duhet që me 5 mars të shpallen zgjedhjet për mbajtjen apo organizimin e zgjedhjeve që duhet të mbahen diku 14 maj”, deklaroi Jakupi.

Nga KSHZ gjithashtu thonë se deri më 5 mars partitë kanë kohë të mjaftueshme ta formojnë shumicën e re parlamentare, të zgjedhin kreun e ri të Kuvendit i cili më pas do të thërret edhe zgjedhjet lokale të 14 majit./Telegrafi/