Dy ditë para skadimit të mandatit të kryeprokurores speciale Katica Janeva, ekspertët, partitë politike dhe prokurorët përpiqen të gjejnë zgjidhje se si do të vazhdojë puna e Prokurorisë Speciale Publike e cila në vitin 2015 u formua si rezultat i aferës së përgjimeve.
Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme. Nga partia maqedonase në pushtet LSDM thonë se Mickoski dhe partia e tij po përpiqen ta sakrifikojnë të ardhmen e shtetit për të shpëtuar, siç thonë nga LSDM, kriminelët e OBRM-PDUKM-së dhe për këtë shkak nuk përkrahin Ligjin e ri për Prokurori Publike. Edhe partia maqedonase opozitare OBRM-PDUKM akuzon pushtetin duke thënë se se kryeministri Zaev dëshiron ta mbrojë krimin dhe nuk dëshiron prokurori të pavarur ku kryeprokurori kryesor do të zgjidhej me propozim të opozitës maqedonase, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Prokurorja e PSP-së Lençe Ristoska dje tha se ata ende funksionojnë sipas ligjit për PSP-në i cili vlen deri 20 shtator të vitit 2020. Nga PSP njoftuan se ata janë të gatshëm që menjëherë t’i dorëzojnë lëndët në Prokurorinë Publike.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska në deklaratë për AIM thotë se gjatë kohës së negociatave për Ligjin e ri për Prokurori Publike kanë propozuar që të barten në Prokurorinë Publike.
“Gjatë bisedimeve për Ligjin e ri për Prokurori Publike kujdesemi për të gjithë të punësuarit në PSP dhe bisedojmë për statusin e tyre. Propozimi ynë ishte që ato njerëz duhet të barten në Prokurorinë Publike”, tha ministrja Deskoska.
Deputeti i LSDM-së, Hari Llokvenec njoftoi se grupet punuese të partive kuvendare dje kanë punuar në harmonizimin e qëndrimeve për Ligjin e ri për Prokurori Publike dhe se me këtë vërtetohet se po përpiqen maksimalisht të sigurojnë shumicën prej dy të tretave, përkatësisht bashkërisht me opozitën maqedonase ta miratojnë Ligjin e ri për Prokurori Publike./Telegrafi/