Site icon Telegrafi

Asociacioni, vështirë të arrihet para afatit kohor të përcaktuar nga BE-ja

Kanë mbetur edhe dhjetë ditë deri te përfundimi i afatit të vënë nga Bashkimi Evropian (BE) për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).

Kjo pasi që BE-ja e kishte kërkuar para katër muajve, që deri më 4 gusht të hartohej statuti i AKS-së, porse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Mirëpo, ekipi menaxhues ka bërë të ditur se në hartimin e draftit ata marrin parasysh Marrëveshjen e Brukselit, por jo edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Gjithsesi Jeta Krasniqi nga KDI, në një prononcim për Telegrafin ka thënë që ASK-ja duhet të formohet në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Krasniqi tha se komuniteti serb dhe ekipi menaxhues për draftimin e statutit të asociacionit nuk duan një asociacion me kompetenca të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Komuniteti serb dhe ekipi menaxhues për draftimin e statutit të asociacionit nuk duan një asociacion me kompetenca të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kërkesat e tyre shkojnë drejtë kompetencave ekzekutive të cilat janë paraparë me marrëveshjet e Brukselit, përtej kompetencave që parashihen me Kushtetutën e Kosovës. Asociacioni duhet të formohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duke ruajtur në çdo mënyrë funksionimin unitar të shtetit të Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas Krasniqit, afati kohor i përcaktuar nga BE-ja, vështirë se do të realizohet, kjo pasi ekipi menaxhues dhe Qeveria e Kosovës kanë qëndrime të kundërta.

“Afati kohor i përcaktuar për datën 4 gusht, është vështirë të respektohet duke konsideruar që palët e përfshira në këtë proces, pra ekipi menaxhues dhe Qeveria e Kosovës, kanë qëndrime të kundërta mbi kompetencat që ky asociacion duhet të ketë. Mbetet tejet e rëndësishme që të evitohet apo të mos pranohen tentativa për ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për ofrimin e kompetencave shtesë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, të cilat do të krijonin hapësirë për një pushtet të tretë qeverisës në Kosovë duke cenuar funksionimin unitar të shtetit të Kosovës, apo ofrimin e një autonomie të veçantë për komunat me shumicë serbe, si pjesë e kompromiseve të cilat janë duke u paralajmëruar për fazën finale të dialogut me Serbinë”, u shpreh tutje Krasniqi.

Tutje Krasniqi theksoi se një ndër arsyet e ngecjes së kësaj marrëveshje janë prodhuar edhe si rezultat i kundërshtisë së opozitës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cili ka vlerësuar se parimet e Asociacionit të dakorduara në mes palëve më 25 gusht 2015, nuk janë në frymë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, presidenti i vendit Hashim Thaçi, të martën në një konferencë me gazetarë ka thënë se Asociacioni do të themelohet sipas Kushtetutës, ligjeve të Kosovës si dhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ky asociacion do të themelohet sipas Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Pretendimet e ndryshme ne nuk mund t’i frenojmë por nuk mund të përfshihen ato gjëra që nuk janë në përputhshmëri me kushtetutën, ligjet e Kosovës, ligjin për vetëqeverisje lokale gjithashtu edhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/

Exit mobile version