Provimit të Maturës Shtetërore në afatin e dytë, i cili është organizuar sot nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), i janë nënshtruar 6700 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë.
Kështu thuhet në një njoftim të MASHTI-t.
“Provimi i organizua në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces janë angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC)”, thuhet në njoftim.
Sipas MASHTI-t, referuar informatave të para të Komisioneve, provimi ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e caktuar dhe çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës.
Ndërkaq, në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore për afatin e dytë pritet të publikohen më 8 shtator. /Telegrafi/