Afaristi dhe pronari i kompanisë Frutex, Shaqir Palushi ka reaguar lidhur me reduktimet e rrymës që po bëhen në vend.
Palushi më anë të një shkrimi në Facebook, drejtuar KEDS-it, ka thënë se është në gjendje ta paguaj 50 për qind më shtrenjtë energjinë e shpenzuar me kusht që të mos ketë ndërprerje.
“Për shkak të problemeve me furnizim me energji si pasojë e kapaciteteve prodhuese të KEK-ut dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar, ne jemi të gatshëm që të paguajmë 50 për qind me çmim më të lartë për energjinë e shpenzuar, me kusht që mos të ketë ndërprerje, pasi që ndërprerjet e shumta përveç që rrezikojnë linjat prodhuese ato janë bërë edhe problem në përmbushjen e kërkesave për eksport duke u rrezikuar seriozisht humbja e tregjeve të jashtme”, thuhet në reagimin e Palushit.
Ai shton se nga kjo situatë, nuk po mund të aktivizohet linja e përpunimit të frutave.
“Gjithashtu, për shkak te mungesës së energjisë elektrike nuk mund të aktivizohet linja e përpunimit të frutave duke pamundësuar që të grumbullohen 4 milionë kg mollë nga fermerët sa kemi paraparë për këtë vit”, shton ai.
“Kompania Frutex gjatë ditës do ta përgatis edhe kërkesën zyrtare për KEDS dhe shpresojmë të arrijmë në një marrëveshje”, përfundon Palushi. /Telegrafi/