Afaristi Rrahman Haradini, ka deklaruar se ka humbur projektin 200 milionë eurosh për interes publik në zonën e Badocit.
Në RTV Dukagjini, Haradini ka thënë se do t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore për të gjithë ata që sipas tij kanë shpifur ndaj tij.
“Unë kam humbur një projekt 200 milionë euro për interes publik… Do t’i ndjek komplet procedurat ligjore për të gjithë ata që kanë shpifur dhe na e kanë krijuar një emër… kur unë i kam marrë kushtet e ndërtimit, ku unë kam paguar një projekt ndërtimi, kemi investuar në atë projekt”, thotë ai.
Ndërkohë, Haradini e ka mohuar të jetë takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që në atë kohë ishte arkitekt i projektit.
“Nuk kam qenë kurrë klient i askujt, gjithmonë kanë qenë klient te unë.
Unë e kam kërkuar një arkitekt botëror, një njeri që e njeh bota për ta sjellë, për ta prezantuar një projekt në shtetin tim, për ta bërë një projekt… Është e vërtetë Përparim Rama, ka qenë arkitekt i projektit. Mbyllet me kaq. Prej se është kryetar në Prishtinë unë nuk e kam takuar asnjëherë Përparim Ramën. Nuk më lidh konflikt interesi”, shtoi ai.
Teksa pyetet se kush e ka bërë përzgjedhjen e parcelave publike me të cilat do të këmbehet prona e tij private, Haradini thotë se toka e tij gjendet në projektin “Prishtina e Re”.
“Ku e kam unë tokën, projekti 2004-2008 i Kosovës kur ka filluar projektin Prishtina e Re, toka ime është në atë projekt. Ky është diskriminim. Në 2013 brenda natës kanë ndryshuar planet. Sonte e ke ndërtim, nesër e ke gjelbërim”.
“Prona jonë me ligj ka qenë ndërtim në zonën e Badocit, në ligjet e Republikës së Kosovës dhe kemi aplikuar për kushte ndërtimi. Komuna e Prishtinës na ka lejuar kushtet e ndërtimit të cilat kanë afat të përgatiten brenda një afati një vjeçar kurse neve na janë shfuqizuar kushtet brenda dy muajve ende pa i kërkuar lejet e tjera përcjellëse. Procedurat shkojnë shumë ngadalë.. na janë anuluar kushtet, kemi bërë ankesë në ministrinë e Ambientit, kjo ministri e nxjerr një vendim që Komuna e Prishtinës është e obliguar për shpronësimin e pronave. Kur komuna e Prishtinës nuk ka mjete materiale që ta shpronësojë është dashur të bëhet një marrëveshje për këmbim. Nëse është për interesin publik, unë e kam lënë pronën time buzë liqenit… unë e kam dëmtuar vetën në një projekt që ka qenë shumë milionësh, mos të flas shifra që ka qenë mbi 200 milionë projekti në liqenin e Badocit, aty ka qenë një pronë 13 hektarëshe buzë liqenit me kushte ndërtimi”, shtoi ai.
Ai thekson se i posedon të gjitha vendimet dhe dosjet.
“Ajo ka qenë një parcelë, ne e kemi bërë një kërkesë për pronën tonë që është e vlerësuar 8 hektarë e gjysmë që i kemi pronë për të këmbyer, komuna e ka propozuar tri prona tjera dhe kemi ardhur në përfundim te kjo prona që po folim sot. Kjo ka qenë një parcelë e kanë dërguar në propozim për vlerësim… nuk është përfundim i procesit”.