Telegrafi

Aeroporti shkon në fazën e parë të koncesionit

Pas procesit ndërkombëtar të prokurimit, për kontraktimin e këshilltarit të transaksionit, për të analizuar opsionet dhe zbatimin e Partneritetit Publiko-Privat për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës,  u nënshkrua kontrata me konsorciumin fitues “Naco Innova”.

Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT) përmes një komunikate për media tha se Qeveria e Kosovës ka për qëllim zhvillimin efikas të transportit ajror, përmes investimeve të mirëfillta në modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

“Në kuadër të këtij angazhimi, pas procesit ndërkombëtar të prokurimit për kontraktimin e Këshilltarit të Transaksionit për të analizuar opsionet dhe implementimin e Partneritetit Publiko-Privat për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, sot u nënshkruar kontrata me konsorciumin fitues ‘Naco Innova’”, thuhet në komunikatën për media.

Me nënshkrimin e kësaj kontrate thuhet se fillon edhe faza e parë e projektit, ku pas kombinimit të opsioneve të identifikuara për dizajnimin teknik, së bashku me rezultatet financiare dhe ligjore, këshilltari i transaksionit do t’i prezantojë Qeverisë së Republikës së Kosovës një meny opsionesh të analizuara.

Kjo fazë pritet të përfundojë deri në qershor të këtij viti, me ç’rast Komiteti Drejtues Ndërministror, në bazë të këtyre rekomandimeve do të vendosë se cili nga opsionet është më i favorshmi dhe më i përshtatshmi për Kosovën dhe për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës./telegrafi/