Telegrafi

Aeroporti rrit numrin e udhëtarëve dhe fitimet

Ky fakt është bërë i ditur nga një komunikatë për në të cilën është potencuar se përveç numrit të udhëtarëve ka një rritje edhe të fluturimeve.

“Numri i udhëtareve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës tashmë ka tejkaluar parashikimet për këtë vit. Pas rekordit prej 1.1 milion udhëtarësh vitin e kaluar, në periudhën pesëmujore të këtij viti është shënuar një rritje e numrit te udhëtarëve prej rreth 20 përqind si dhe ngritje e numrit të fluturimeve prej 13%, në krahasim me te njëjtën periudhe te vitit te kaluar”, saktëson komunikata e ANP-së.

Tutje në këtë komunikatë thuhet se më shumë se 20 kompani ajrore tashme kanë dërguar oraret për fluturime gjatë sezonin veror 2008. “Në këtë kuadër, Bordi i ANP-se ka aprovuar kërkesën e menaxhmentit që të angazhojë një kontingjent shtesë të punëtorëve sezonal qe do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e operimeve gjatë sezonit të verës”.

Po ashtu zyrtarët e këtij institucioni kanë bërë të ditur se me qellim te përmirësimit të kualitetit dhe sigurisë, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, ka filluar se implementuari projektet kapitale si rishtresimi i pistës, sistemi i ri e elektrimifikit ne pistë, modifikimi i terminalit të udhëtarëve me qëllim te rritjes së hapësirave për udhëtarë dhe riorganizimit të shërbimeve në mënyrë që procesimi i udhëtarëve të jetë sa më i lehtë dhe funksional, etj.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po ashtu ka prezantuar edhe pasqyrën financiare të viti që lamë pas duke theksuar se është shënuar një ngritje e të hyrave prej 11% dhe është arritur të ulen shpenzimet operative për 6.5%.

“ Po ashtu ka pasur një rritje të fitimit bruto prej 2,1 milionë euro sa ishte në vitin 2006, në 7,7 milionë euro në vitin 2007. Ky trend pozitiv vazhdon edhe këtë vit dhe krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar, këtë vit të hyrat kanë shënuar një rritje prej mbi 10%. Ndërsa shpenzimet operative kanë ngelur në nivelin e vitit të kaluar. Me këtë trend mund të pritet që ANP-ja ta dyfishojë fitimin neto në vitin 2008”, përfundon komunikata. /Telegrafi/