Site icon Telegrafi

Aeroporti i Prishtinës në vitin 2021 ka shërbyer 2 milionë e 181 mijë udhëtarë, dyfish më shumë se në vitin 2020

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shërbyer gjithsej 2,180,809 udhëtarë në vitin 2021, sipas statistikave që ka mbledhur operatori LKIA.

Ky numër udhëtarësh është 97% më i lartë se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2020 (1,104,435).

Kështu ka njoftuar Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, sipas së cilit kjo ngritje e numrit është për shkak të përmirësimit të trafikut ajror në krahasim me vitin e kaluar ku pandemia kishte shkaktuar krizën më të madhe në historinë e aviacionit.

“Muaji gusht ka pasur numrin më të lartë me gjithsej 383,776 udhëtarë, që pasohet nga muaji korrik me 340,446 udhëtarë. Ndërsa trafiku më i ulët ka qenë gjatë muajit prill me 79,278 udhëtarë, pasuar nga muaji shkurt me 96,442 udhëtarë. Gjatë vitit 2021 janë realizuar 8,921 nisje fluturimesh, apo 92% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt gusht dhe korrik, me 1,517 dhe 1,367 nisje fluturimesh”.

“Në anën tjetër, muaji prill kishte më së paku nisje fluturimesh, 370. Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohen Bazeli (BSL/MLH), Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria, Suedia e kështu me radhë. Prej kompanive ajrore, prin EasyJet me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga Eurowings, Wizzair, GP Aviation, Trade Air, Pegasus Airlines, e kështu me radhë.

Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Nju Xhersi (Newark Internationa)l, Çikago (O’Hare), Frankfurti, Washingtoni dhe Antalia”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version