Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” fton udhëtarët që t’i tërheqin valixhet apo gjërat e tjera të humbura pranë zyrës “Lost and Found”.
Sipas ANP-së, qytetarët që nuk lajmërohen deri me 3 shtator, gjësendet e tyre do të jepen donacion.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ – Limak Kosovo, njofton të gjithë qytetarët të cilët kanë udhëtuar përmes këtij aeroporti se nëse kanë humbur valixhet e tyre apo gjëra të tjera dhe akoma kanë raportin nga zyra e ‘Lost and Found’ apo dokumente tjera që dëshmojnë një gjë të tillë, të lajmërohen në aeroport deri më datë 03.09.2023 për të vazhduar procedurat e identifikimit dhe tërheqjes së tyre”, njofton ANP-ja.
Po ashtu, aeroporti thotë se valixhet që kanë mbetur më shumë se 6 muaj do t’iu shpërndahen shoqatave humanitare.
“Valixhet të cilat kanë mbetur në aeroport më shumë se 6 muaj dhe nëse pronarët e tyre nuk lajmërohen deri në datë 03.09.2023 atëherë këto valixhe do të jepen donacion shoqatave humanitare që ushtrojnë veprimtaritë e tyre në Kosovë”, vijon njoftimi.
“Për çdo të dhënë shtesë ju lutem të kontaktoni zyrën e ‘Lost and Found’ në aeroport në numër të telefonit +38338501502 1270/1271 apo përmes e-mailit në lost.found@limakkosovo.aero“, përfundon ANP. /Telegrafi/