Me qëllim të rritjes së efikasitetit në operime, mënjanimit të vonesave dhe rrjedhimisht rritjen e kënaqshmërisë së udhëtarëve, kompania Limak që menaxhon Aeoroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” tanimë ka implementuar sistemet më të avancuara për procesimin e udhëtarëve dhe të bagazheve të tyre.
Falë sistemit Altea të Amadeus për trajtimin në tokë dhe kontrollit në nisje (DCS) si dhe sistemit të bazuar në “cloud” për trajtimin e bagazheve (BRS) , Aeroporti i Prishtinës ka reduktuar shpenzimet operacionale për 20 përqind vetëm gjatë dy muajve të fundit, e në të njëjtën kohë ka rritur performancën gjatë procesimit të udhëtarëve dhe trajtimit të aeroplanëve në tokë.
“Me rritjen e numrit të udhëtarëve, krijimin e linjave të reja dhe duke dashur t’i tërhekim kompanitë ajrore, është me rëndësi thelbësore që të zhvillojmë operime të besueshme, të shpejta dhe me kosto efikase të mbështetura nga një platformë plotësisht e integruar e zgjidhjeve. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur këto sisteme të Amadeus. Bashkëpunimi me Amadeus na mbështet misionin tonë për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurtë, si dhe për të rritur vazhdimisht cilësinë e shërbimeve tona ndaj udhëtarëve. Jam i kënaqur që falë këtyre zgjidhjeve, kostot tona operative po ulen dhe në të njëjtën kohë kemi rritur kënaqshmërine e kompanive ajrore”, deklaroi me këtë rast Drejtori i Operimeve në ANP “Adem Jashari”, Gökmen Aritay.
“Jemi të kënaqur që një nga aeroportet më të suksesshme dhe inovative në Ballkan, i njohur për përsosmërinë e tij operacionale dhe përkushtimin ndaj shërbimeve të klientëve, ka miratuar zgjidhje të cilat më tej e përmirësojnë cilësinë dhe efikasitetin e operarimeve kryesore të aeroportit. Këto përmirësime tashmë po e ulin koston dhe mundësojnë një përvojë më pak stresuese për udhëtarët” – deklaroi Yannick Beunardeau, udhëheqës i IT EMA në Amadeus. /Telegrafi/