Telegrafi

Aeroporti në menaxhim privat

Konzorciumi “Limak-Lion” sipas kontratës të nënshkruar do të investojë mbi 100 milionë euro si dhe do t’i modernizojë shërbimet e ANP-së.

Ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit Fatmir Limaj, tha se nënshkrimi i kontratës me konzociumin “Limak – Lyon”, është i rëndësishëm pasi që do të bëhet zgjerimi dhe modernizimi i aeroportit.

“Përveç zgjerimit dhe modernizimit të aeroportit, konzorciumi do t’i ndajë për buxhetin e Kosovës 39.42 për qind të fitimit, por varësisht nga rritja e udhëtarëve ato mund të rriten”, tha Limaj, duke garantuar punëtorët e aeroportit për vendet e tyre të punës.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, tha se kjo është kontrata e parë ku është i kyçur edhe sektori privat.

“Ty hyrat direkte dhe indirekte për buxhetin e Kosovës do të jenë deri në 400 milionë euro”, tha Shala.

Zëvendëskryetari i Bordit udhëheqës të konzorciumit “Limak-Lion”, Sezai Bacaksiz, shpalosi synimin që numri i udhëtarëve nga 1.5 milion sa janë aktualisht, të rritet në 4 milionë në vit.

Konzorciumi “Limak-Lyon”, sipas zyrtarëve të saj deri në vitin 2012 do të investojnë në Aeroport rreth 140 milionë euro, do të ndërtojë dhe operojë me ndërtesën e terminalit prej 27 mijë metra katrorë, kullën e trafikut ajrorë, parking për automjete, do ta rregullojë pistën si dhe do t’i modernizojë shërbimet e ANP-së.

Qeveria dhe konzorciumi “Limak – Lyon”, i kanë 180 ditë për ta përmbyllur kontratën në tërësi. /Telegrafi/