Që nga fillimi e deri më sot, megjithëse me hapa të ngadalshëm, ky aeroport ka shënuar progres në zhvillimin teknologjik dhe në ofrimin e shërbimeve, raporton emisioni “Cosmo” në KTV.
Ndryshe nga ai, menjëherë pas luftës, Kosovës i është shtuar edhe një aset tjetër i ngjashëm.
Megjithëse, aktualisht i braktisur, në të ardhmen ai mund të shërbej si mundësi për rritjen dhe avancimin e aviacionit civil në vend apo edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera.
Me të përfunduar lufta në Kosovë, në vitin 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s, të quajtur KFOR, filluan vendosjen nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës.
Ushtarët e KFOR-it italian u vendosën në Pejë dhe Gjakovë, e ku në këtë të fundit nisën edhe ndërtimin e një aeroporti që më vonë edhe mori emrin Aeroporti i Gjakovës.
Në këto hapësira, ata qëndruan për 15 vjet, ku më 2014, pasi që përfunduan misionin paqeruajtëse në Kosovës, vendosën që aeroportin ku investuan rreth 30 milionë euro t’ia dhurojnë Kosovës.
I ndodhur në një pozitë të mirë gjeografike, me perimetër prej 7 kilometrash, ku mjegulla zbret fare pak brenda vitit, ky aeroport i plotëson të gjitha kushtet, për tu përdorur si aeroport civil.
Në këtë pistë prej dy kilometrash tashmë të boshatisur, e ku për vite me radhë janë ulur e ngritur dhjetëra aeroplanë ushtarak, nuk kanë munguar as rastet të uljeve emergjente të avionëve civilë në defekt.
Në vitin 2014, Qeveria e Kosovës e ka shndërruar këtë aeroport në ndërmarrje publike, dhe aty janë të angazhuar 7 punëtorë që kujdesen për ruajtjen e këtij aseti raporton emisioni “Cosmo” në KTV.
Aeroporti i Gjakovës aktualisht ka diku mbi 9 milionë euro pajisje në vlerë.
Në mesin e aseteve të lëna në këtë aeroport është edhe Kulla e Kontrollit me të gjitha pajisjet e nevojshme si dhe sistemin më të ri të navigimit.
Gjakovarët shpresojnë se ky aeroport mund të funksionalizohet.
Funksionalizimi i tij do të nënkuptonte zhvillim ekonomik për qytetin dhe vende të reja të punës për qytetarët.
Kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari Lila, ka kohë që ka nisur përpjekjet për ta funksionalizuar këtë aeroport.
Për shkak të kontratës në mes të Qeverisë së Kosovës dhe koncesionerit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, nuk ekziston pothuajse asnjë mundësi që ky aeroport të përdoret për aviacion civil.
Sidoqoftë, funksionalizimi i tij shihet si një mundësi reale për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për zhvillimin e qytetit.
Që nga marrja në pronësi, ekzekutivi i vendit ka shpallur edhe konkurs për themelimin e bordit që do të menaxhonte me këtë ndërmarrje.
As zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nuk e dinë se kur mund të kompletohet bordi i kësaj ndërmarrjeje.
Sidoqoftë, Aeroporti i Gjakovës do të mund të përdoret për fluturime “cargo” apo bartje mallrash si dhe si një shkollë pilotimi.
Që Kosova të ketë aeroport të dytë, nuk e beson as njohësi i fushës së aviacionit civil, Valbon Sejdiu, i cili për më shumë se 6 vite ka punuar në aeroportin e Manchesterit në Angli raporton emisioni “Cosmo” në KTV.
Sipas tij, janë disa opsione për çka ky aeroport mund të përdorej.
Gjithashtu, kryetarja e Gjakovës, insiston në idenë e saj se në Aeroportin e Gjakovës mund të operonin edhe kompani që ofrojnë bileta më të lira, pasi që Kosova vlerësohet se ofron çmime të larta të udhëtimit me aviotransport.
Momentalisht në Aeroportin e vetëm të Kosovës, atë në Sllatinë, nuk realizohet asnjë fluturim me bileta të lira për shkak të tarifave të larta që kërkohen prej agjencive që ofrojnë fluturime të tilla.
Si qëndron puna me tregun kosovar, nuk ekziston mundësia që autoriteti vendor, që në këtë rast i bie të jetë qeveria e Kosovës, ta jap edhe këtë aeroport me koncesion ndonjë kompanie, njëjtë siç ka ndodhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Sipas Kusari Lilës, përgatitjen e këtij aeroporti për dhënien me koncesion do e bëjë pjesa profesionale vendore e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Për funksionalizimin e këtij aeroporti, sipas Mimoza Kusari Lilës, nuk ka kurrfarë problemi në raport me ata që udhëheqin ANP-në, pasi aeroporti i dytë do të ofrojë shërbime të cilat nuk e dëmtojnë ‘Limak de Lyon’.
Por, që ndryshe mendojnë të tjerët.
Sidoqoftë, mbetet të shihet se cili do të jetë fati i Aeroportit të Gjakovës, i cili aktualisht ka mbetur i braktisur.