Telegrafi

Aeroporti i Prishtinës, me koncesion, por nuk do të gabohet si Shqipëria

Agron Mustafa, drejtori i aeroportit, tregon për "Shqip" ecurinë e procesit të tenderit, i cili po shkon shumë mirë. Duke folur për koncesionin e aeroportit të Tiranës, "Nënë Tereza", Mustafa thotë se e njeh mirë, madje do të jetë më i kujdesshëm që të mos përsëritet "e drejta ekskluzive".

"Kritika më e zëshme apo që më së shumti është përmendur pas përfundimit të procesit, çka konsiderohet edhe një prej problemeve më të mëdha të vetë procesit, me ndikim edhe për zhvillimin potencial të zonave tjera të Shqipërisë, veçmas atyre turistike, është ekskluziviteti i fluturimeve ndërkombëtare që ju garantua operatorit të TIA. Ky ekskluzivitet e bën të pamundur ndërtimin dhe operimin e ndonjë aeroporti tjetër brenda Shqipërisë për fluturime ndërkombëtare", tha Mustafa. Megjithatë, ai shton se para koncesionit, Aeroporti i Rinasit nuk ishte në gjendje të mirë, duke detyruar palët të vendosin kushte.

"Gjendja në të cilën gjendej TIA para koncesionimit, ka qenë një gjendje e mjerueshme. Kjo gjendje pa dyshim edhe ka mundur të diktojë disa nga kushtet e kontratës me operatorin privat, çka ne në Kosovë nuk e kemi të njëjtën situatë, ANP është në një gjendje tërësisht tjetër, apo më mirë të them në një gjendje shumë të mirë dhe stabël", shpjegon për gazetën drejtori i Aeroportit të Prishtinës.

Mustafa ngre një tjetër problem në raport me palën shqiptare, sa i takon taksës së kalimit Prishtinë-Tiranë. Me fillim të vitit 2009, autoritetet kosovare vendosën të heqin në tërësi taksën aeroportuale në shumë prej 20.53 eurosh për të gjithë pasagjerët e linjës Prishtinë-Tiranë. Kjo taksë u hoq me qëllim uljen e kostos së biletave dhe rritjen e fluksit të udhëtarëve.

"Një hap i tillë pritej edhe nga autoritetet shqiptare, por në vend të një veprimi të njëjtë sikurse ne që morëm në Kosovë, autoritetet shqiptare vendosën një taksë të re për kalim kufiri, e cila është ende në fuqi dhe me sa kujtoj është në shumë prej 10 eurosh", tregon Mustafa, i cili shton se taksa 10 euro mblidhet nga TIA për llogari të buxhetit të shtetit shqiptar.

Sipas tij, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nuk pati asnjë lëvizje në këtë drejtim. "Me fjalë të tjera, mungoi vullneti nga ana shqiptare për ndërmarrjen e hapave në zbritjen e tarifave në mes Shqipërisë dhe Kosovës", thotë shefi i aeroportit të Kosovës.

Aeroporti i Kosovës e hoqi taksën 20.53 euro, por nga pala shqiptare nuk u ndoq i njëjti shembull, madje u rrit. /gazeta shqip/