Telegrafi

Aeroporti i Prishtinës, 24 orë në funksion

Menaxhmenti i ANP morri vendimin për zgjatjen e orarit të fluturimeve në ANP në 24 orë, duke konsideruar këtë vendim si njërin nga vendimet më të rëndësishme të ANP-së në vitet e fundit dhe që përbën një hap të madh për kompaninë, zhvillimin e aviacionit civil si dhe për Kosovën në tërësi.

Deri tani, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka punuar nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 22 të mbrëmjes.

Fluturimi i parë gjatë orarit të natës pritet të bëhet sonte nga kompania ajrore sllovene, “Adria Airways”, aeroplani i së cilës pritet të arrijë në Prishtinë rreth orës 1, pasmesnate.

E njëjta kompani ajrore, Adria Airways, ka konfirmuar se do të ketë 7 fluturime në javë në këtë orar, ndërkohë që 4 fluturime të tjera gjatë orarit të natës janë konfirmuar nga kompania kroate e fluturimeve “Croatia Airlines”

“Ka një interes të mjaftueshëm nga ana e kompanive ajrore për të fluturuar gjatë orarit të natës. Për momentin janë dy kompani ajrore të cilat kanë konfirmuar që do të fluturojnë në këtë orar, por gjatë sezonit veror presim që të rritet edhe më tej numri i kompanive që do të fluturojnë gjatë orarit të natës. Një tjetër kompani ajrore që pritet të filloj fluturimet në orarin e natës është edhe kompania “Swiss International ”, tha Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas tij, vendimi për të punuar gjatë 24 orëve i hap perspektivë edhe investimeve të jashtme në Kosovë .

“Një aeroport i cili punon 24 orë dëshmon stabilitetin e një vendi si nga aspekti ekonomik poashtu edhe politik. Mendoj dhe besoj që vendimi për të punuar 24 orë do të jetë i mirëseardhur edhe për investitorët të cilët dëshirojnë të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë, pasi do ta kenë më të lehtë dhe gjatë gjithë kohës mundësinë për të qarkulluar mallrat dhe kapitalin e tyre”, tha më tutje z. Mustafa. 

Vendimi për të punuar non-stop, do të krijojë lehtësira të mëdha edhe për udhëtarët dhe kompanitë ajrore që operojnë për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Kompanitë ajrore tani do të kenë mundësi që të operojnë në çdo orar, për të kapur në kohë sa më të mirë linjat ndërkontinentale në mënyrë që të kursehet koha e udhëtarëve që udhëtojnë në shtetet e treta nga Prishtina. /Telegrafi/