“Ne jemi të fokusuar që të kemi një aeroport më të hapur ndaj publikut dhe konsumatorëve ku këta do të jenë jo vetëm klientët tanë, por do të jenë edhe partnerë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të mëtutjeshëm të aeroportit. Hapësira për procedimin e udhëtarëve është rritur duke filluar. Në tërësi hapësira për terminal është zgjeruar në masë të konsiderueshme për procedimin e udhëtarëve. Po ashtu kemi rritur kapacitetet në njerëz dhe besojmë se kemi krijuar mundësi që të gjithë udhëtarët të kalojnë mirë dhe të mos ankohen si më parë për pritjet e gjata”, tha drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa.
Nga ana tjetër, pronari i kompanisë “Kosova Airlines”, Remzi Ejupi, tha se ky vendim i menaxhmentit të ANP-së është i mirëpritur pasi deri më tani nuk ka ekzistuar bashkëpunim i mirë mes ANP-së dhe përfaqësuesve të kompanive ajrore.
“Është hera e parë qe ne jemi thirrur dhe trajtohemi në këtë mënyrë. Shpresojmë se kjo frymë e mirë e mirëkuptimit do të vazhdojë edhe më tutje dhe ne jemi të hapur për bashkëpunim”, tha Ejupi.
Ndërsa Elife Agushi nga British Airwyas tha se ky bashkëpunim mes Aeroportit dhe kompanive i cili ka filluar më herët tani ka marrë një dimension tjetër dhe se ky bashkëpunim është në nivel shumë të lartë.
Numri i udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është rritur për 20 për qind në krahasim me periudhën paraprake (2007).
Nga ky numër dhe me këto trende të udhëtareve ANP pret rritjen e të hyrave në 25 milionë euro, çka paraqet një qëndrueshmëri të mirë financiare për këtë institucion.
Krijuesi i logos dhe fituesi Valton Berisha, pronar i kompanisë “Global Aliance Network” ka shpjeguar se rrethi simbolizon kthesën që merr çdo aeroplan para se të aterojë në aeroportin e Prishtinës. “Këtu poshtë shihet aeroporti duke ateruar në pistë. Ndërsa kemi përdorë ngjyrën e kaltër e cila simbolizon qiellin. Po ashtu në logo shihet dhe një aeroplan tjetër me ngjyrë ari që simbolizon fuqinë financiare të ANP. Të gjitha këto formojnë një rreth në formë të kokores e cila është e fuqishme dhe ka të bëjë me fuqinë financiare të Aeroportit dhe qëndrueshmërinë e tij”, ka shpjeguar krijuesi i logos dhe pronari i kompanisë.