Site icon Telegrafi

Aeroporti forcon lidhjet ajrore me Londrën

Programet e reja të lansuara nga ANP “Adem Jashari”, në Prishtinë, të cilat ofrojnë zbritje të tarifave të aeroportit në 30 për qind, kanë shtuar interesimin për zhvillim të shërbimeve të këtij aeroporti.

Kështu, kompania ajrore sllovene Adria Airways, ka konfirmuar dhe tanimë ka publikuar në sistemin e saj të shitjes hapjen e linjës së re ajrore që lidhë Aeroportin “Adem Jashari” me Aeroportin Luton në Londër, me dy fluturime të rregullta në javë: të enjteve dhe të dielave, njofton Zyra për informim e këtij aeroporti.

Duke filluar nga data 19 Qershor 2016, fluturimet me nisje nga Prishtina në orën 18:20, orë lokale dhe nisje nga Londra për në Prishtinë në orën 21:30, kjo orë lokale do të operohen nga aeroplani Airbus 319 me kapacitet prej 144 ulësesh.

“Po ashtu, në zhvillim akoma ka iniciativa të reja për fluturime shtesë dhe destinacione të reja që shpresojmë shpejt të konkretizohen”, thuhet në njoftim.

Londra, e cila gjatë kësaj sezone dimërore u shërbye nga Germania me një fluturim në javë në aeroportin Gatwick, gjatë sezonës së verës do të jetë e shërbyer me gjithsejtë 4 fluturime në javë: Germania do të ketë 2 fluturime në javë në aeroportin London Gatwick (të Marteve dhe të Premteve) dhe Adria Airways dy fluturime në aeroportin London Luton (të Enjteve dhe të Dieleve). /Telegrafi/

Exit mobile version