Telegrafi

Aeroporti detyron kompaninë “Graniti” të rishtresojë platformën

Kjo pasi është konstatuar se cilësia e materialeve të përdorura për shtrimin e platformës, nuk është konform standardeve ndërkombëtare. Lajmi është konfirmuar nga koordinatori i ANP, Altin Ahmeti.

“Pas analizave që janë bërë në Suedi nga mbikëqyrësi i punimeve në ANP kompania suedeze, “Swedavia” dhe analizave që janë bërë nga vetë punëkryerësi në Bullgari, ka rezultuar se cilësia e asfaltit të përdorur për shtrimin e platformës nuk është konform standardeve. Për këtë arsye drejtori menaxhues Agron Mustafa ka urdhëruar që platforma të rishtresohet nga e para”, tha për “Telegraf”, koordinatori i kësaj kompanie, Altin Ahmeti.

Jozyrtarisht mësohet se rishtrimi i platformës do ti kushtojë kompanisë maqedonase rreth 500 mijë euro.

Kompania “Graniti”, pati fituar tenderin për rishtresimin e pistës së ANP në vitin 2005 në shumën prej rreth 14 milion euro ndërsa përfundimi i punimeve është dashur të kryhet në fund të muajit gusht të këtij viti, por ende është larg përfundimit.

Për shkak të mospërfundimit të punëve, kompania është duke u gjobitur me 15 mijë euro në ditë ndërsa e gjithë gjoba deri në ditën kur kompania pritet të dorëzojë punën, pritet të shkojë në rreth 800 mijë euro.

Kompania po ashtu është gjobitur rreth 100 mijë euro për shkak shtrimit jocilësor të platformës, të cilën tani detyrohet ta shtrojë përsëri./Telegrafi/