Site icon Telegrafi

Aeroporti “Adem Jashari” merr çmimin e dytë në “World Travel Awards 2015”

Ky aeroport ishte nominuar në mesin e aeroporteve më të mira të botës në bazë të investimit të fundit në terminalin e ri dhe objektet përcjellëse, trendit të rritjes së numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve, sistemeve të teknologjisë së fundit në treg dhe ndikimit ndaj ambientit për trajtimin e ujit.

Po ashtu, për bazë ishin marrë edhe performanca në kohë e procesimit të udhëtarëve dhe fluturimeve etj. Mirëpo, ajo që solli në fitore ishin pikërisht votat e qytetarëve të Kosovës dhe diasporës së Kosovës.

“Ne mund të arrijmë deri te nominimi, por asnjëherë nuk do të renditeshim në vendin e dytë pa votat e udhëtarëve tanë që shumicën e përbëjnë diaspora. Andaj, jemi mirënjohës dhe ju falënderojmë për përkrahjen tuaj gjatë këtij votimi. Ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar që të ofrojmë shërbime cilësore për të gjithë klientët tanë”, ka deklaruar drejtori gjeneral i ANP “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk.

ANP “Adem Jashari” është renditur i dyti pas aeroportit të Cyrihut së bashku me Aeroportin e Lisbonës, duke lënë pas shumë aeroporte me renome botërore. Asnjë nga aeroportet rajonale nuk është nominuar asnjëherë në këtë garë ndërkombëtare. “Besojmë se qytetarët e Kosovës do të votojnë përsëri dhe do ta vënë ANP ‘Adem Jashari’-n në vendin e parë, aty ku e meriton të jetë”, ka theksuar Kokturk. /Telegrafi/

Exit mobile version