Telegrafi

Aeroport: Udhëtari i njëmiliontë kaloi në shtator

Kjo statistikë paraqet një rritje prej mbi 85 mijë udhëtarëve, apo shprehur në përqindje gati rreth 10 për qind më shumë për këtë periudhë nëntëmujore.

Deri në fund të muajit Shtator të vitit 2009, nëpër ANP kaluan 923 mijë udhëtarë ndërsa i gjithë viti u mbyll me rreth 1.2 milionë udhëtarë. Gjatë këtij viti parashihet që numri i udhëtarëve të kaloj shifrën prej 1.3 milion pasagjerëve, çka paraqet arritje të madhe duke pasur parasysh se vetëm para dy viteve në këtë kompani, saktësisht në Nëntor 2008 qe festuar për herë të parë në historinë e kompanisë kalimi i udhëtarit të  njëmiliontë, duke e shpërblyer atë me një biletë falas dhe duke u trajtuar si eviniment shumë i veçantë.

Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa tha se brenda dy viteve ANP-ja ka arritur ta rrit numrin e udhëtarëve për rreth 400 mijë udhëtarëve.

“E gjithë kjo u arrit në saje të punës së madhe të të gjithë punëtorëve të ANP-së, duke krijuar kushte për shtimin e konkurrencës në mes aviokompanive me sjelljen e aviokompanive të reja në treg, çka normalisht solli rënien e çmimit të biletave dhe automatikisht rritjen e numrit të udhëtarëve, tha Mustafa.

Sipas tij, rënia e çmimit të biletave gjatë këtyre dy viteve ka mundur të vërehet nga secili bashkatdhetar.

Drejtori Mustafa, tha se numri i fluturimeve krahasuar me periudhën paraprake të vitit të kaluar është rritur për rreth 6 për qind.

“Rritja e vazhdueshme e numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve, si dhe potenciali që ky numër të shkojë pa problem deri në dy milionë udhëtarë brenda një kohe të shkurtër me të njëjtat kapacitete që kemi, ishte faktori kryesor që erdhi një ofertë shumë e mirë për koncesion”, tha Mustafa. /Telegrafi/