Telegrafi

Aeroport, 7.6 milion euro fitim neto deri në muajin gusht

ANP ka thyer çdo parashikim në realizimin e të hyrave dhe fitimeve, duke arritur dhe tejkaluar planin vjetor që në muajin gusht, katër muaj pa përfunduar viti.

Deri në fund të këtij muaji janë realizuar plot 7.6 milion euro fitim neto, nga 7.4 që ishin paraparë me projeksionet e fillim vitit dhe gjatë rishikimit të buxhetit në qershor të këtij viti për tërë vitin 2009.

Gjatë vitit 2008, fitimet vjetore ishin në shumën prej rreth 7 milionë eurove.

“Janë thyer të gjitha parashikimet për fitimet e mundshme të cilat ishin paraparë në fillim të vitit 2009 dhe me rishikimn e buxhetit në qershor të këtij viti. Realisht, planin vjetor e kemi realizuar që tani, ndërkohë që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 4 muaj. Shpresojmë që deri në fund të vitit të kemi një fitim neto së paku prej 10 milion eurove ”, tha Altin Ahmeti, Koordinator për Mardhënie me Jashtë i ANP-së.

Sipas tij, qarkullimi i parave gjatë kësaj periudhe në kompani ka qenë rreth 18. 5 milion euro.

Gjithashtu, rritje ka shënuar edhe numri i udhëtarve dhe fluturimeve.

Në rang vjetor, duke krahasuar me vitin 2008 numri i udhëtarëve është rritur mbi 5 përqind, ndërsa numri i fluturimeve për 17 përqind .

Gjithsejt, prej fillimit të vitit e deri në fund të muajit që lamë pas, nëpër Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës kaluan 827 mijë udhëtarë, ndërsa në të njëjtën periudhë paraprake të vitit 2008 ishin 788 mijë udhëtarë, apo rreth 40 mijë udhëtarë më shumë.

Ndërsa, sa i përket fluturimeve, këtë tetëmujor u regjistruan 3890 fluturime, nga 3329 fluturime që u regjistruan gjatë vitit 2008 për të njëjtën periudhë, apo rreth 561 fluturime më shumë se vitin e kaluar.

“Qasja e proklamuar nga drejtori aktual i ANP-së, Agron Mustafa për orientim drejt klientëve, në këtë rast orientimi drejt përmirësimit dhe ofrimit të shërbimeve sa më cilësore për aviokompanitë dhe udhëtarët, ka rezultuar me rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve, fluturimeve, fitimeve neto, që nga mesi i vitit 2008. Kjo rritje dhe perspektiva për rritje të mëtutjeshme paraqesin pikën më të fuqishme për rritjen e vlerës reale të aeroportit, i cili ndodhet në prag të koncesionit.”, tha koordinatori Ahmeti.

Si rezultat i orientimi drejt përmisimit të shërbimeve, disa kompani të reja kanë hyrë për të operuar në tregun e Kosovës me linja të rregullta.

Më e fundit është Montenegro Airlines, e cila ka filluar fluturime të përditshme për nga Prishtina në Podgoricë dhe vendet tjera europiane, ndërsa nga 1 nëntori kompania e njohur zviceriane Swiss pritet të fillojë fluturimet e rregullta dy herë në ditë në destinacionin Zyrich- Prishtinë dhe anasjelltas.

Ndërsa shumica e kompanive ekzistuese që operojnë prej kohësh në ANP kanë rritur numrin e fluturimeve, duke përfituar nga programi sitmules nxitës që është vënë prej disa kohësh në funksion nga menaxhmenti i ANP-së. /Telegrafi/