Telegrafi

Aeroplani u detyrua të rikthehet në Sydney pas “shpërthimit” të një pasagjeri – incidenti shkaktoi vonesa edhe për fluturimet tjera

Një pasagjer në bordin e një fluturimi të Malaysia Airlines është arrestuar pasi detyroi aeroplanin të ulej në Sydney duke u bërtitur pasagjerëve: “A jeni robër të Allahut?”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet dramatike tregojnë burrin, i cili thotë se emri i tij është Muhamed, duke e quajtur veten ‘rob i Allahut’ përpara se të sfidojë pasagjerët e tjerë aty pranë për të përsëritur se ata janë gjithashtu ‘robër të Allahut’.

Ai nxehet, duke drejtuar gishtin nga pasagjerët dhe duke i bërtitur njërit: “Thuaje!”.

Një pasagjer i ‘frikësuar’ në fluturimin MH122 Airbus-a330 nga Sidnei për në Kuala Lumpur ka thënë se burri ‘hapi çantën e shpinës, futi duart brenda, bëri kërcënime të fshehta se kishte diçka të rrezikshme në të’.

Megjithatë, mësohet se anëtarët e ekuipazhit të fluturimit kanë ekzaminuar më pas çantën dhe nuk kanë gjetur asgjë të rrezikshme në të.

Ndërkohë bëhet e ditur se aeroplani u ul përsëri në Sydney pak para orës 16:00 dhe u izolua në fund të një piste, ndërsa pasagjerët e tjerë u zhvendosën në një pjesë tjetër të tij.

Pasi situata u vu nën kontroll, një 45-vjeçar u arrestua nga Policia Federale Australiane (AFP) dhe pasagjerët e tjerë u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Lidhur me këtë incident, një zëdhënës i Aeroportit të Sidneit ka thënë se ‘si rezultat i incidentit janë anuluar 32 fluturime të brendshme (16 në hyrje + 16 në dalje), me vonesa deri në 90 minuta për fluturimet e tjera të brendshme”. /Telegrafi/