Siç shkruajnë mediat e huaja, 15 pasagjerë pësuan plagë të lehta pasi një avion me 154 njerëz në bordin e tij doli nga pista në aeroportin Dabolim, në provincën indiane Goa.
Incidenti i frikshëm ndodhi ndërsa avioni i kompanisë “Jet Airways” po nisej nga Dabolimi.
Autoritetet lokale thanë se avioni rrëshqiti mbi pistë dhe u rrotullua 360 gradë, para se të përfundonte në barin pranë pistës për shkak të një defekti teknik.
Ky i fundit nuk është sqaruar në detaje, ndërsa autoritetet e aviacionit në vend kanë nisur hetimet.
Pasagjerët e avionit treguan më pas përvojën e tyre të frikshme dhe thanë se ndërsa avioni merrte shpejtësi në pistë, ishte e qartë se nuk po ngrihej dot, por rrëshqiti jashtë saj, përcjell TCH.
Sikur të mos mjaftonte kjo, paniku shpërtheu kur në kabinë hyri tym dhe pasagjerët nisën të shkelnin njëri-tjetrin për të dalë sa më shpejt nga mjeti fluturues.
Ky ishte edhe momenti i plagosjes së disa prej pasagjerëve që nuk u lënduan nga dalja e avionit jashtë pistës, por nga bashkudhëtarët e tyre të frikësuar. /Telegrafi/