Një aeroplan Cessna 414 u rrëzua në një shtëpi periferike në New Jersey të martën, duke vrarë pilotin dhe duke ndezur një zjarr në një shtëpi, thanë autoritetet.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit po heton përplasjen, e cila ndodhi në orën 11 të mëngjesit (sipas kohës lokale) në Colonia në Qarkun Middlesex.
Ndërkohë, në disa pamje të publikuara në internet thuhet se tregojnë vendin e ngjarjes dhe zjarrfikësit që përpiqen të shuajnë zjarrin në një shtëpi në zonën e banimit.
John Hagerty, zëdhënës i Woodbridge Township Police, konfirmoi që piloti vdiq në përplasje.
“Në aeroplan nuk kishte pasagjerë dhe askush në tokë nuk u plagos”, citohet të ketë thënë ai. /Telegrafi/