Disa pamje të publikuara thuhet se tregojnë momentin kur një aeroplan mallrash rrëshqiti nga pista dhe “u këput përgjysmë” ndërsa ishte përfshirë nga tymi.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aeroplani i mallrave të DHL po zbarkonte dje në aeroportin ndërkombëtar të San Jose në Kosta Rika kur ndodhi incidenti.
Aeroporti u mbyll si masë paraprake, por asnjë nga ekuipazhi nuk u lëndua si pasojë e përplasjes.
Hector Chaves, drejtor i Departamentit të Zjarrfikësve të Kosta Rikës, shpjegoi se si pas uljes, aeroplani rrëshqiti, u kthye dhe u nda në dysh, duke ekspozuar ngarkesën e tij.
Boeing 757 fillimisht ishte nisur nga aeroporti Juan Santamaria në perëndim të kryeqytetit për të fluturuar në Guatemala City, por vendosi të kthehej pasi zbuloi një dështim në sistemin hidraulik.
Zëdhënësi i DHL, Daniel McGrath tha se në atë kohë kompania po punonte me stafin e aeroportit për të lëvizur aeroplanin në mënyrë që fluturimet të mund të rifillonin.
Ai shtoi se ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e incidentit. /Telegrafi/