Telegrafi

Aeroplani godet pistën dhe përfshihet nga zjarri, udhëtarët e mbijetuar largohen me shpejtësi – pamje nga aksidenti në aeroportin e Moskës (Video)

Një video e publikuar në rrjetet sociale thuhet se tregon rrëzimin e një aeroplani në aeroportin Sheremetyevo në Rusi, ku u vranë 41 vetë.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për pamje të cilat tregojnë momentin kur aeroplani pëson lëkundje dhe godet pistën, pas së cilës gjë shpërthen edhe zjarri.

Sipas raporteve të fundit nga mediat ruse, aeroplani u godit nga rrufeja, pak qaste para se të aterronte në aeroportin e Moskës.

Gjithsesi, hetuesit në çështjen e aksidentit nuk dhanë ndonjë koment zyrtar për pretendimet nëse aeroplani ishte goditur nga rrufeja.

Megjithatë, aeroplanët modernë thuhet se janë ndërtuar për t’i bërë ballë goditjeve të rrufeve.

Nga ana tjetër, transportuesi kombëtar rus Aeroflot tha se aeroplani u kthye në aeroport për arsye teknike.

Të mbijetuarit thanë se aeroplani u godit nga rrufeja menjëherë pas ngritjes dhe anëtarët e ekuipazhit thanë gjithashtu se rrufeja ishte përgjegjëse për humbjen e komunikimit me kontrollin e trafikut ajror.

Në aeroplan thuhet se gjendeshin 73 pasagjerë, nga të cilët 41 gjetën vdekjen.

Ndërkohë disa pamje të tjera tregojnë momentin kur udhëtarët largohen me shpejtësi nga aeroplani që ishte përfshirë nga zjarri në pistë. /Telegrafi/