Telegrafi

Aeroplanët janë duke u bërë “viktimë e ndryshimeve klimatike” – problem që ka prekur më shumë se 20,000 fluturime në një javë të vetme

Efektet e “mbingrohjes” së planetit tonë kanë qenë të mëdha në jetët e njerëzve për vite me radhë, dhe tani ato kanë një “viktimë” të re: udhëtimin ajror.

Në një intervistë video me CBS News, Amanda Hoover, shpjegoi se si temperatura në rritje e Tokës “po i mban aeroplanët në tokë”.

Çfarë po ndodh?

Udhëtarët në mbarë botën po përjetojnë një nga sezonet më të këqija të udhëtimit, me CBS që raporton se të dhënat nga Flight Aware treguan më shumë se 20,000 fluturime të prekura vetëm në një javë, shkruan YahooNews, përcjell Telegrafi.

Siç thuhet më tej, ndërsa planeti ynë ngrohet, ngjarjet ekstreme të motit janë bërë më të shpeshta dhe më intensive.

Kështu, stuhitë, zjarret dhe valët e të nxehtit janë përkeqësuar dhe të gjitha kanë ndikuar në udhëtimet ajrore.

“Ka shumë mënyra se si ndryshimi i klimës mund të ndikojë në udhëtimin ajror”, ka thënë Hoover. “Stuhitë janë të dukshme. Kur ka më shumë nxehtësi në ajër, ka më shumë lagështi, më shumë stuhi”.

Tymi i shtuar nga zjarret intensive ka qenë gjithashtu një problem.

“Sistemet e navigimit të aeroplanit nuk janë krijuar në të vërtetë për të funksionuar mirë përmes tymit të zjarrit”, vë në pah Hoover.

Ajo përmendi gjithashtu turbulencat dhe nxehtësinë e lartë si arsye për vonesat dhe anulimet.

Në temperatura jashtëzakonisht të larta – aeroplanëve u duhet më shumë kohë dhe distancë për t’u ngritur për të luftuar gravitetin.

Nxehtësia ekstreme gjithashtu mund të bëjë që pistat të “zbuten”, dhe Hoover madje foli për një rast kur rrota e një aeroplani u mbërthye në një pistë që ishte “shkrirë” për shkak të nxehtësisë ekstreme.

Ndryshe, rritja e temperaturave të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor tashmë ka bërë që zona në të gjithë vendin të përjetojnë stuhi të forta, zjarre shkatërruese dhe temperatura rekord.

Dhe ndërsa planeti ynë vazhdon të ngrohet, efektet e tij do të përkeqësohen.

Por edhe linjat ajrore thjesht po përjetojnë pasoja nga një problem ku ata janë një kontribues kryesor.

Kjo pasi që aviacioni përbën 2.5% të të gjitha emetimeve të karbonit. /Telegrafi/