Telegrafi

Aeroplanët e aleancës ndjekin ata rusë mbi Detin Baltik – NATO publikon pamjet

Dy aeroplanë francezë Mirage 2000-5 “kapën” aeroplanët rusë Su-30 dhe një aeroplan transporti An-72 mbi Detin Baltik.

Dhe imazhet e përgjimit u publikuan në Twitter (X) nga Komanda e Forcave Ajrore të NATO-s, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Siç thuhet më tej, incidentet ndodhën në hapësirën ajrore ndërkombëtare në veri të Polonisë më 29 shkurt.

“Shikoni se si duket kur dy francezë Mirage 2000-5 përgjojnë 2 aeroplanë rusë SU-30-M mbi Detin Baltik dje. Menjëherë pasi aeroplanët luftarakë francezë u rikthyen në një mision të ri, ku ata ‘kapën’ gjithashtu një AN-72 rus që fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare në veri të Polonisë”.

Siç kujtojnë mediat, aeroplanët ushtarakë francezë janë të stacionuar në disa shtete anëtare të NATO-s si pjesë e një misioni të njohur si Policia ajrore e NATO-s, i cili synon të mbrojë hapësirën ajrore të Aleancës.

Këto misione u shtuan pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Që atëherë, janë regjistruar disa përgjime aeroplanësh, por që asnjë prej të cilëve nuk ka rezultuar në ndonjë incident të rëndë.

Ndryshe, në mars të vitit 2023, një aeroplan rus u përplas me një dron amerikan në Detin e Zi. /Telegrafi/