Telegrafi

AECOM do t’i jap KEK-ut këshilla rreth ristrukturimit

Korporata Energjetike Kosovës (KEK), ka nënshkruar të mërkurën një Memorandum të Mirëkuptimit me kompaninë AECOM, si pjese e projektit te financuar nga USAID të quajtur REPOWER, është duke e implementuar projektin energjetik në përkrahje të sektorit të energjisë në Kosovë.

Ky Memorandum me theks të veçantë vendosë bazat e bashkëpunimit mes AECOM dhe KEK në kuptim të përkrahjes që do t’i ofrojë KEK-ut kompania AECOM me kapacitete këshillëdhënëse rreth procesit të ristrukturimit të mëtutjeshëm të Korporatës dhe gjetjes së mundësive financiare për projektet madhore të rehabilitimit, me qëllim të operimit të termocentraleve sipas standardeve të kërkuara.

Ky proces do të realizohet në pajtim me vendimet e Qeverise së Kosovës, konform obligimeve që dalin nga Strategjia për Energji e Republikës së Kosovës, raporton Telegrafi.

Memorandumi u nënshkrua në praninë edhe të përfaqësuesve të misionit të USAID-it në Kosovë. Këta të fundit u shprehën të kënaqur me fillimin e realizimit të projektit për mbështetje të sektorit energjetik në Kosovë, e sidomos me faktin se sot po vendosen bazat e një bashkëpunimi mes AECOM si implementuese e projektit dhe KEK-ut si përfitues i tij.

Ndërkaq, kryesuesi Bordit te KEK-ut, Berat Rukiqi, shprehu falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme të USAID-it për sektorin e energjisë në Kosovë, në përgjithësi, dhe për KEK-un në veçanti duke konfirmuar njëherësh gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm në kuadër të projektit Repower. /Telegrafi/