Telegrafi

Adriatik Kelmendi: Pranojani Haradinajt hakun

Udhëheqësi i emisionit politik ‘Rubikon’ dhe përcjellësi i zhvillimeve politike në vend, Adriatik Kelmendi, pas zhvillimeve të sotme opozitare, ka dalë me një vlerësim mbi momentin aktual – duke iu referuar një analize të tij të mëparshme, të muajit shkurt, me titull ‘Barra e Haradinajt’.

Kelmendi ka ripotencuar vlerësimin e tij për fuqinë dhe lojën fer të Ramush Haradinajt brenda bllokut opozitar kosovar, sipas të cilit i vetmi rast kur ‘Vetëvendosje’ ka arritur të tubojë mbi 10 mijë njerëz në protesta, ka qenë prej momentit kur Ramush Haradinaj ka vendosur t’i hedh prapa shpinës akuzat e LVV-së ndaj tij dhe kur ka përqafuar kauzën opozitare.

“Besoj se edhe në LVV e edhe në NISMA e kanë të qartë se pa AAK-në si pjesë të opozitës së bashkuar, as që do të kishte opozitë të bashkuar e as që do të mund të kishte bllokadë kaq të gjatë në Kuvend.

Për më tepër, pa AAK-në, as protestat masive që u mbajtën në Prishtinë, nuk do të ishin të atilla.

LVV-ja është koshiente se prej se është formuar, më se një dekadë më parë, ka folur për protestën e madhe që do ta ndërrojë sistemin në Kosovë, por e dimë se vetëm me AAK-në ia doli të mbledhë për herë të parë mbi 10 mijë veta.

E tash, ndoshta duhet ditur edhe Haradinajt hakun – i cili pavarësisht se nga vetë LVV gjithmonë është akuzuar në mënyrën më të ashpër të mundshme për korrupsion dhe frikësim – se ka vendosur t’i harrojë të gjitha dhe ta përqafojë një kauzë të përbashkët opozitare”, shkruan Kelmendi.