Me rastin e Ditës ndërkombëtare të ngjyrave, mbrëmë në Zagreb, u hap ekspozita e pagëzuar ‘Zagreb Full Color’, me pjesëmarrjen e 50 artistëve nga vende të ndryshme të botës, nga Bosnja e Hercegovina, Kroacia, India, Italia, Kosova, Makao, Mali i Zi, Rusia, Serbia dhe Uruguai
Secili artist po merr pjesë me nga tri piktura digjitale të formatit të madh, vetëm me qasje koloristike abstrakte.
Me këtë rast, juria ndërkombëtare e përbërë prej gjashtë anëtarësh, kumtoi vlerësimet.
U ndanë katër shpërblime: një Plaketë e artë dhe tri Plaketa të argjendta.
Shpërblimin e parë – ‘Plaketën e Artë’ (Golden plaque) e fitoi Adriana Nimani – Kutllovci.
Pos shpërblimit të parë, Adriana Nimani – Kutllovci fitoi të drejtën e hapjes së ekspozitës personale të pikturave vitin e ardhshëm në Zagreb.
Ekspozita ‘Zagreb Full Color’ do të qëndrojë e hapur një muaj, deri më 14 prill.
Adriana Nimani – Kutllovci ka lindur më 1979 në Prishtinë. Ka kryer gjimnazin ‘Xhevdet Doda’ në vendlindje. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe ka magjistruar në të njëjtin Fakultet.
Merret me dizajn, pikturë, grafikë digjitale dhe fotografi artistike. Më 2002 është punësuar dizajnere grafike në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) – TV produksioni.
Nga viti 2007 ligjëron lëndën e dizajnit grafik në Kolegjin ‘Design Factory’ në Prishtinë.
Adriana ka bërë disa udhëtime studimore gjithandej nëpër galeritë dhe muzetë e metropoleve kulturore të vendeve të ndryshme të botës.
Ka hapur ekspozitën personale (‘Lotët e detit’, Galeria e Arteve e qytetit të Pejës) dhe ekspozita të përbashkëta në Prishtinë, Tiranë, Sarandë, Berat, Sofje, Cadaqués/Kataloni (Spanjë), Wingfield (Angli), Bages (Francë), Pineda de Mar (Spanjë), Aarhus (Danimarkë), New York dhe Zagreb.
Për vlerat e shquara të veprave të saj ka marrë disa shpërblime: Shpërblimin e parë në ekspozitën ‘Arti Islamik’ (2001); Shpërblimin e parë për pullën postare dhe për zarfin e ditës së parë të Filatelisë së Kosovës, cikli ‘Fëmijët e Kosovës’ (2006); Shpërblimin e parë për pullën postare dhe për zarfin e ditës së parë të Filatelisë së Kosovës, cikli ‘Bjeshkët e Nemuna’ (2013).
Poashtu, Adriana është e angazhuar në aktivitetin humanitar të përvitshëm që mbahet në New York ‘Visual AIDS – Postcard from the Edge’, në përkrahje të personave dhe artistëve të prekur nga HIV/AIDS. /Telegrafi/