Aktorja dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, rreth një muaj më parë iu nënshtrua një operimi në tru.
Kjo pasi ajo rrëfeu se pas nëntë vitesh i ishte rikthyer tumori në tru, gjersa për herë të parë u diagnostikua kur ishte shtatzënë me fëmijën e katërt.
Ylli i filmit “Zana” së fundmi në një intervistë të dhënë për “Goca&Gra” ka treguar se kur e kishte kuptuar se iu rikthye tumori.
E njëjta tha se kur kishte hyrë në shtëpinë e Big Brother për ta befasuar shoqen e saj, Arjola Demirin, ka pasur marramendje.
“Ka qenë dita kur kam hyrë në ‘Big Brother VIP’, për të takuar Arjolën. Kam pasur shumë marrje mendsh, por u përpoqa të mbaj veten, që Arjola të mos e kuptonte. U vizitova të nesërmen dhe aty kuptova që kisha sërish tumor”, ka deklaruar ajo.
Nëna e katër fëmijëve shtoi se nuk dëshironte t’i tregonte askujt për sëmundjen, por pastaj këtë e ktheu në forcë për të tjerët.
“Nuk doja t’i tregoja njeriu, por doja t’i jepja forcë dhe të tjerëve dhe bëra postimet në rrjetet sociale. Asgjë nuk është si shëndeti, nuk ka lidhje as fama, asgjë tjetër”, vazhdoi ajo.
Matoshi nuk e anashkaloi pa e përmendur edhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ka marrë nga ndjekësit dhe të gjithë të afërmit. /Telegrafi/