Adriana Matoshi ditën e sotme (e hënë) ka marrë pjesë në seancën e parë konstituive të legjislaturës së re njëherësh të tetë të Kuvendit të Kosovës.
Meqenëse grumbulloi mbi dhjetë mijë vota në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ajo ishte një nga deputetet që la pas edhe shumë emra të njohur të politikës.
Pas seancës, Matoshi po ashtu ka dhënë një deklaratë për mediet duke u shprehur se është e lumtur dhe se është ndjerë shumë mirë.
Ajo shtoi se së bashku me kolegët e tjerë do t’ia dalin të bëjnë më të mirën, ndërsa thekson se ka shumë probleme me të cilat duhet të merren.
“Jam shumë e nderuar që jam pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e tërë atyre deputetëve shumë të mirë shumë të zot. Dhe thjesht u ndjeva tepër mirë, si në shtëpi duke marrë parasysh se do të kontribuojë për vendin tim dhe kjo më bën të ndihem më e përgjegjshme edhe u kënaqa”.
“Ka shumë shumë gjëra me të cilat mundem me u marrë, jo vetëm me profesionin tim si aktore dhe për kulturë, ka shumë pika që duhet me u marrë sepse ka shumë probleme të mëdha, kështu që në bashkëpunim me kolegët e mi besoj që kemi me ia dalë”, deklaroi Matoshi. /Telegrafi/