Site icon Telegrafi

Adresa e vetmisë: Shtëpia e Pleqve – azili i të harruarve (Foto)

Nexhip Haliti, është emri i këtij burri me plis të bardhë , i cili edhe pse ka kaluar një vit nga vdekja e Hatës, atë moment e kujton sikur të kishte ndodhur sot.

“Që një vit më ka vdekur gruaja. Ishim bashkëbanorë, por ajo më la. Shkoi në atë dynja”, ka thënë Haliti për Telegrafin.

Haliti është nga fshati Kushevicë e Podujevës. Ai s’ka fëmijë, ndërsa kushtet e rënda ekonomike dhe gjendja e rënduar shëndetësore e vuri para një vendimi të vështirë: për të jetuar tek Shtëpia e Personave të Moshuar dhe Pa Përkujdesje Familjare.

“Ishim të dy të sëmurë. Nuk kishte kush të përkujdesej për ne. Menduam që është më mirë të vijmë këtu. Por, ajo u bë më keq dhe vdiq”,tregon Haliti me zërin e tij të dridhur e të rënduar nga lotët.

Nexhip Haliti

Gjithçka që ka tani, sipas tij, është një dhomë dhe disa miq të vendbanimit që njihet si Shtëpia e Pleqve.

“Mua s’po më rrihet këtu nga mërzia. Prej shtatorit kam ndenjur nja dy a tre muaj në Kushevicë”, shprehet Haliti, i cili duke kujtuar vendlindjen dhe kujtimet e përbashkëta me gruan, ndihet më i ngazëllyer.

Tek Shtëpia e Pleqve, Haliti thotë se trajtohet mirë, edhe pse teshat i lanë vet – një detyrë kjo me të cilën nuk ishte mësuar më parë.

“Këtu mirë po na trajtojnë. Disa tesha po i laj vet, e unë s’jam mësuar, por po më duhet”, pohon Haliti.

Në Shtëpinë e Pleqve ka banorë që janë të strehuar këtu nga paslufta. Njëra ndër ta është një zonjë e thinjur nga vitet e jetës, Jakute Turjaka nga Peja, e cila menjëherë pas vdekjes së bashkëshortit erdhi dhe u vendos këtu.

“Kam qenë e martuar. Gjatë luftës kam qenë në Shqipëri. Kur erdhëm, shtëpinë e gjetëm të djegur. Nuk kishim mundësi ta ndërtojmë shtëpinë. Më vonë burri më vdiq dhe vendosa të vija këtu”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Ajo është si nikoqirja e shtëpisë së pleqve, pasi i pret e i përcjell të gjithë banorët e strehuar aty, ndërsa kujdeset edhe për mirëmbajtjen e dhomës së saj.

Jakute Turjaka

“Që 15 vite jam këtu. Kjo u bë si shtëpia ime. Unë kam qenë këtu moti, e të tjerët hynin e dilnin, e edhe vdisnin”, shtoi ajo.

Edhe shoqja e saj, Shehnaze Salihi nga Kamenica, ndjehet njësoj si ajo, ndonëse ka më pak kohë banimi në këtë Azil për pleq.

“Sjelljet e mira t’i bëjnë punët e mira. Meqë s’kemi pasë vend tjetër, e kemi gjetur këtu shpëtimin”, tregon Shehnazja.

Ajo ka qenë e martuar, mirëpo s’kishte fëmijë. Me kushte të vështira ekonomike, e për të mos iu bë barrë askujt, më dëshirën e saj ka vendosur të vij këtu.

“Kam qenë e martuar. Që 20 vjet më ka vdekur burri. Mbikëqyrje tjetër s’kam pasë, ndaj që dy vjet kam ardhur këtu. Kam qëndruar ku kam mundur, herë te kunetërit e herë tek motra. S’kam dashur ta pengoj askënd”, shtoi ajo.

Drejtoresha e Shtëpisë së personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, Raze Aliçkaj, tregoi për Telegrafin jetën dhe gjendjen e banorëve në institucionin që ajo e udhëheq.

“Për momentin janë të strehuar 80 rezidentë: 35 femra dhe 45 meshkuj, të të gjitha nacionaliteteve. Por, ky numër ndryshon, sepse mund të kemi raste të reja të pranimit, por mund të ndodhë të vdesë ndonjë”, tha ajo.

Sipas saj, emri i institucionit tregon se personat që vendosen këtu janë persona që nuk kanë përkujdesje familjare.

“Duke i marr parasysh rrethanat dhe kushtet në të cilat këta kanë jetuar – mungesa e familjes, mungesa e ndjesisë së të qënurit prind – kjo reflekton tek ta një zbrazëti të madhe emocionale. Ka madje të tillë që kalojnë në depresione të nivelit jo shumë të lartë, por që mund të shkaktojnë probleme”, tha ajo.

Raze Aliçkaj

Aliçkaj shtoi tutje se Institucioni që ajo e udhëheq ka karakter social dhe se përkujdesja bëhet në 24 orë.

“Kjo përfshin ushqimin, veshmbathjen, shërbimin shëndetësor, shërbimin e administratës, të kuzhinës, dhe – përveç mjekut të përgjithshëm – motrat e teknikët medicinalë, teknikja e fizioterapisë, farmacistja, shërbimi i stomatologjisë dhe specialistët e protetikës ”, u shpreh ajo.

Sipas saj, një herë në javë në vizita vjen psikiatri.

“Jemi munduar që t’ju përshtatemi gjendjes së tyre psikofizike, sepse disa kanë demenca, e disa e kanë të vështirë të akomodohen ose të risocializohen me të tjerët këtu”.

Banorët nuk rrinë vetëm në ambientin e Shtëpisë dhe oborrit të saj, por gjithashtu dalin si të gjithë banorët e tjerë të Republikës së Kosovës.

“Ata që kanë mundësi fizike dhe psikike, lëvizin sikur të gjithë qytetarët e tjerë: shëtisin, shkojnë në treg, shkojnë në ëmbëltore, në dyqane ku ata kanë dëshirë, pinë kafe e kthehen”, ka thënë Aliçkaj. “Pjesa tjetër me gjendje jo të mirë shëndetësore, nuk e kanë të drejtë. Jo pse ua kufizojmë ne, por sepse u duhet shoqërimi: qoftë shërbimi social apo shëndetësor, varësisht prej nevojave. Por, për ta ne organizojmë edhe shëtitje. P.sh. vitin e kaluar kanë shkuar në Shalë të Bajgorës, tek liqeni i Batllavës dhe në Prevallë”.

Drejtoresha e këtij Institucioni sqaroi qasjen se si bëhet verifikimi i rasteve dhe kush e nxjerr vendimin për pranimin e banorëve në shtëpinë e pleqve.

“Vendosja bëhet përmes Qendrave për Punë Sociale, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ata janë të obliguar të dalin në terren, të verifikojnë rastet, e t’i veçojnë ato më të nevojshmet. Dokumentacionin e plotësuar e sjellin tek Divizioni i Aftësisë së Kufizuar për Persona të Moshuar, ku një komision shqyrton komplet lëndën. Në atë komision merr pjesë edhe punëtori social i Shtëpisë sonë dhe mjekja e institucionit. Dhe, nëse kompletohet dokumentacioni dhe gjithçka është në rregull, atëherë vendimin përfundimtar e merr kryesuesi i Divizionit që të bëhet vendosja në institucionin tonë, kuptohet përmes Qendrës për Punë Sociale nga e cila qendër vjen klienti. Ne atëherë e bëjmë marrëveshjen përmes Shtëpisë dhe Qendrës përkatëse, ku i marrim të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë për klientin i cili vendoset këtu”, sqaroi Aliçkaj.

Ajo po ashtu tregon kushtet që duhet t’i plotësojnë personat për t’u vendosur aty: “Duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të jenë mbi moshën 65-vjeçare, mos të kenë fëmijë biologjikë, duhet të kenë certifikatë nga infektologu që s’ka sëmundje infektive, si dhe nga psikiatri që s’ka sëmundje psikike”.

E pyetur se çfarë ndodhë në rast të vdekjes së ndonjërit nga banorët, ajo theksoi se fillimisht lajmërohen të afërmit e tyre.

“Kur ata na e konfirmojnë që s’kanë mundësi të vijnë për ta bërë varrimin, ne si institucion e kryejmë edhe këtë ceremoni mortore. Të gjitha gjërat e tyre pas vdekjes evidentohen me Komision dhe nëse familjarët duan t’i marrin, ne ua japin, ndryshe mbesin këtu”.

Vdekjes secili i frikohet, e këta banorë edhe frikës se nuk do ta kenë asnjë të afërt ta përcjell deri te banesa e fundit. Por, për Nexhip Halitin e vetmja gjë që e ngushëllon është besimi se një ditë edhe ai do t’i bashkohet Hatës, gruas së tij.

“Mërzinë askush s’ma heq. As nuk po më hahet e as nuk po më shijon asgjë. Kështu do të jetoj deri kur ta ketë shkruar i lumi Allah dakikun e fundit për mua, e të bëhem bashkë me Hatën”, thotë ky burrë i vuajtur e i vetmuar. /Elfije Boletini/Fotografitë: Ridvan Slivova/Telegrafi/
 

Exit mobile version