Adnan Januzaj beson se Belgjika do të përfitojë nga e ashtuquajturi brez i artë që aktualisht ka futbollistë të nivelit të lartë botëror.
Eden Hazard, Kevin De Bruyne, Thibaut Courtois dhe Romelu Lukaku janë disa prej yjeve të kombëtares belge ndërsa në mesin e tyre është edhe Adnan Januzaj.
Ky i fundit ka folur për Marca, teksa ka zbuluar edhe skuadrën favorite për fitimin e Kupës së Botës.
“Gjermania ka një bagazh të madh dhe gjithmonë luan shumë mirë në këto lloj turne të rëndësishëm. Brazili dhe Spanja kanë shumë lojtarë të mirë, me stilin e tyre që prej disa vitesh po japin rezultate fantastike. Argjentina ka Lionel Messin. Është një Kupë e Botës që duket fortë”, tha Januzaj për mediat spanjolle.
Ai më tutje pohoi se të gjithë lojtarët janë përpjekur shumë për të marrë një biletë për në botërorin Rusia 2018.
“Ne të gjithë kemi luftuar shumë për të hyrë në listën përfundimtare dhe tifozët tashmë kanë filluar të japin kritika pozitive. Ka shumë shpresa për këtë garë prestigjioze. Të gjithë ëndërrojnë që ekipi i tyre mund të jetë kampion botëror”, shtoi ai.
Theksojmë se kampionati botëror do të startojë më 14 qershor (e enjte), ku në ndeshjen hapëse do të luajnë Rusia dhe Arabia Saudite. /Telegrafi/