Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim admiralin e Flotës Ushtarake Detare të SHBA-së, Mark E. Ferguson III.
Presidenti Thaçi u shpreh se Aleanca Veri-Atlantike mbetet çelës për stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, duke shtuar se KFOR-i është institucioni më i besueshëm nga popullsia në Kosovë.
Ai tha se Kosova pret që të vendoset dialogu politik me NATO-n dhe të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me aleancën.
“Forca e Sigurisë së Kosovës ka kryer reformat e nevojshme dhe është e gatshme për t’u shndërruar në ushtri, në një forcë multietnike. Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme për programin Partneriteti për Paqe të NATO-s”, ka thënë ai.
I pari i vendit theksoi se nëntëdhjetë për qind e popullsisë së Kosovës është pro NATO-s dhe se duhet të shfrytëzohet ky momentum në mënyrë më proaktive, sepse secila vonesë në proceset e integrimeve i hap rrugë ideologjive ekstreme.
Ndërsa, Admirali i Flotës Ushtarake Detare të SHBA-së, Mark E. Ferguson III, tha se me përcaktimin për prioritetet institucionale, Kosova ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO.
Admirali Ferguson tha se janë me vend prioritetet që të forcohet sundimi i së drejtës, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar gjë që, sipas tij, nënkupton se ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO.
“Kjo është shenjë e mirë, e stabilizimit dhe normalizimit të Kosovës. Jemi të kënaqur me reformat e FSK-së”, tha admirali Ferguson.
Presidenti Thaçi tha në fund se Kosova është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.
“Kosova është shteti i vetëm në rajon që ka ndërmarrë hapa konkretë. E kemi miratuar legjislacionin që sanksionon pjesëmarrjen në konflikte të armatosura jashtë Kosovë. Kemi realizuar fushata të vetëdijesimit të opinionit publik që të mos mashtrohen nga organizata terroriste e kriminale të tilla si ISIS. Asnjë kosovar nuk i është bashkuar grupeve terroriste në gjashtë muajt e fundit”, tha presidenti Thaçi. /Telegrafi/