Site icon Telegrafi

Administrata Tatimore: Regjistroni veprimtaritë ekonomike dhe deklaroni të punësuarit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) rikujton të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor janë të detyruar të regjistrohen, pajisen me Numër Unik të Regjistrimit të Biznesit/Numër Fiskal, deklarojnë dhe paguajnë tatimet (bazuar në statusin e tyre) dhe të mbajnë Tatimin në Burim dhe Kontributet Pensionale për punëtorët e tyre.

Në njoftim për media, ATK thotë se të gjithë personat që zhvillimin e veprimtarisë ekonomike ta kenë në harmoni me Kodin e Veprimtarive Ekonomike, si dhe të kenë të hapura llogaritë përkatëse tatimore.

“ATK është e fokusuar në bizneset, grupet punuese dhe personat fizikë në kuadër të veprimtarisë së ndërtimtarisë, si muratorët, armaturë punuesit, betonuesit, gërmuesit e dheut, punuesit e kulmeve, prodhuesit dhe montuesit e dyerve dhe dritareve, elektricistët, instaluesit e ujit dhe ngrohjes qendrore, montuesit e parketit/laminatit, montuesit e qeramikës, suvatuesit/fasada, prodhuesit dhe montuesit e olluqeve, rrethojave të ballkoneve, shkallëve dhe rrethojave të oborreve nga metalet e ndryshme dhe druri, etj.”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

ATK u bënë thirrje të gjithë personave të lartcekur, që të regjistrohen apo përditësojnë të dhënat e tyre sa më parë dhe të përmbushin të gjitha obligimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

Në fund, ATK thotë se me kryerjen e detyrimeve tuaja tatimore, ju kontribuoni direkt në ofrimin e shërbimeve publike për një mirëqenie të qëndrueshme ekonomike dhe shoqërore. /Telegrafi/

Exit mobile version