Site icon Telegrafi

Administrata Tatimore modifikon formularin tatimor e të Ardhurave Personale dhe të Ardhurave të Korporatave

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhurat Personale (PD) dhe formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave (CD), janë duke u modifikuar, andaj deri më 31 janar 2020, nuk mundësohet dorëzimi i këtyre formularëve.

Administrata thotë se modifikimi në formularët përkatës do të bëhet kryesisht për zbritjet për sponsorizim në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë; shumën obligative për pagesë; mundësinë e parashtrimit të kërkesës për rimbursim; mundësinë e përdorimit të pagesave tepër në këstet paradhënie për vitin vijues, si dhe në obligimet tjera të pashlyera; dhe shtimi i rubrikave, si llogaria bankare, numri i llogarisë bankare dhe mbajtësi i llogarisë.

“Përmes formularit CD, tatimpaguesit të cilët kanë spozorizuar në fushën e sportit, kulturës dhe rinisë duke plotësuar kushtet e përcaktuara me Ligjin për sponsorizimet, do të kenë mundësinë e zbritjes së atyre sponsorizimeve nga shuma obligative e tatimit për pagesë. Gjithashtu, përmes këtyre formularëve, tatimpaguesit do të kenë mundësinë që të kërkojnë Rimbursim për pagesat tepër gjatë vitit apo nëse dëshirojnë mund të zgjedhin që pagesat tepër gjatë vitit t’i lënë parapagim me qëllim të mbulimit të obligimeve tjera të pashlyera ndaj ATK-së apo në pagesa paradhënie për vitin vijues”, thuhet në njoftimin e ATK-së, përcjell Telegrafi.

Pra, me rastin e dorëzimit të formularit të deklarimit vjetor dhe pagesës së tatimit, nëse nga tatimpaguesi plotësohet rubrika “Kërkesë për Rimbursim”, ATK do të pranoj kërkesën e tillë pa pasur nevojë që tatimpaguesi të dorëzoj edhe ndonjë kërkesë tjetër të veçantë për rimbursim, mirëpo në formular domosdoshmërish duhet të jenë të plotësuara edhe rubrikat “Llogaria bankare”, “Numri i llogarisë bankare” dhe “Mbajtësi i llogarisë”.

Ndërsa në rastin kur tatimpaguesi ka paguar më tepër gjatë vitit përmes kësteve paradhënie dhe nuk plotëson rubrikën “Kërkesë për Rimbursim”, ATK do të konsideroj se pagesat tepër do të përdoren për këste paradhënie për vitin vijues apo për mbulimin e obligimeve tjera të pashlyera ndaj ATK-së, që tatimpaguesi mund t’i ketë në atë moment apo edhe që mund t’i lindin në të ardhmen.

Në fund, ATK thotë se publikimi i formularëve të modifikuar do të bëhet më 31 janar 2020 dhe të gjithë tatimpaguesit nga kjo datë e tutje mund të deklarojnë dhe të paguajnë përmes këtyre formularëve. /Telegrafi/

Exit mobile version