Administrata gjyqësore kërkon trajtim të barabartë me gjykatësit dhe prokurorët ose do të hidhet përsëri ne grevë. Kështu thotë Shoqata e administratës gjyqësorë e cila shpreh pakënaqësinë me rritjen e rrogave vetëm për një pjesë të të punësuarve në sistemin gjyqësor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kjo shoqatë kërkon ndryshime të Ligjit për shërbyes gjyqësor dhe barazi të të drejtave të punëtorëve në administratën gjyqësore me prokurorët dhe gjykatësit.
Borçe Mirçeski nga kjo shoqatë thotë se përsëri po ndodhë rritje e pjesërishme e rrogave, prandaj bën të ditur se do të fillojnë me aktivitete që parashohin një varg masash. Ai sqaron se nuk kanë patur qëllim të ndërmarrin diçka për shkak të krizës politike në vend, por thekson se nuk kanë faj që nuk trajtohen baraz si të tjerët.
Të punësuarit në shërbimin gjyqësor kanë paralajmëruar bojkotim të shënimit të Ditës së gjyqësisë në Maqedoni – 31 marsi./Telegrafi/