Administrata gjyqësore në Maqedoni, ka kërcënuar me grevë urie nëse nuk përmbushen kërkesat për kushte më të mira në punë, rritje të pagave për 35 për qind, kompensime për kohën shtesë në punë dhe trajtim të njëjtë sikur edhe gjykatësit.
Kërkesat janë paraqitur që në muajin dhjetor të vitit të kaluar, por deri më tani, përveç premtimeve, asgjë nuk është ndërmarrë për realizimin e tyre. Punonjësit thonë se ata me vite po injorohen sikur pushteti gjyqësor të varet vetëm nga gjykatësit, por jo edhe nga mijëra punëtorë të tjerë që janë në shërbim të këtij pushteti, që nga dita në ditë po e humb kredibilitetin.
“Ky nuk është hapi i fundit, hapi i fundit do të jetë mbyllja e dyerve të gjykatave. Do të mbyllemi brenda dhe nuk do të lejojmë asnjë palë të hyjë brenda”, thotë një punonjëse që kishte dalë për të protestuar para Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka refuzuar të pranojë të bisedojë me drejtuesit e sindikatës.
Kreu i sindikatës, Pece Grujevski, edhe një herë u ka bërë thirrje drejtuesve të Qeverisë që t’i pranojnë para se të ndërmarrin hapin më radikal, të grevës së përgjithshme.
“Ministri i Drejtësisë ka katër ditë që po na bojkoton, i bëjmë thirrje të na pranojë dhe të përballet me kërkesat tona që janë shumë reale. Bëhet fjalë për një numër të madh të punonjësve, janë me mijëra që me vite janë në pozitë të pabarabartë, madje injoruese nga ana e Qeverisë”.
“Ata kanë një barrë të rëndë në profesionin e tyre dhe kjo nuk duhet nënçmuar”, thotë Grujevski, duke denoncuar edhe raste të presioneve dhe kërcënimeve ndaj punonjësve të administratës gjyqësore që të heqin dorë nga protesta dhe greva e paralajmëruar e urisë.
Nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e sindikatës, janë prononcuar nëpërmjet një komunikate me shkrim.
“Ne nuk kemi kompetencë ligjore që ta zgjidhim këtë çështje. Kompetentë janë Këshilli Gjyqësor dhe Ministria e Financave, problemi qëndron te buxheti”, thuhet në përgjigjen e dikasterit të Drejtësisë.
Nga Këshilli Gjyqësor kanë vlerësuar se të drejtat e punonjësve të administratës gjyqësore, janë të qëndrueshme, por për realizimin e tyre nevojiten edhe ndryshime ligjore që janë në kompetencë të Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë.
Njohësit e çështjeve juridike ndërkohë thonë se institucionet duhet të kujdesen për të gjithë punonjësit e administratës, përfshirë edhe ata të gjykatave që duhet të jenë të barabartë me pjesën tjetër.
“Shërbimet administrative, të cilat i ofrojnë organet e administratës gjithandej, pra edhe brenda organeve të administratës, që ato të jenë efikase, funksionale, të përgjegjshme dhe mbi të gjitha që vërtet të ofrojnë shërbim për punën, për të cilën janë të themeluara, patjetër që duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të drejtë pavarësisht se a bëhet fjalë për gjykata apo institucione tjera”, vlerëson Mersim Maksuti, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës.
Ai thekson se Qeveria duhet të ndërmarrë masa që të mos vijë deri te greva e përgjithshme, pasi kjo do të paralizonte të gjitha institucionet në vend.
Ndryshe, protestat në administratën gjyqësore vijnë në kohën kur pushteti gjyqësor po përballet me kritika të shumta për mungesë të pavarësisë, joefikasitet, dhe vënien në shërbim të partive në pushtet. /Telegrafi/