Site icon Telegrafi

Adi Krasta: Prindërit më deshën mantelbardhë, unë i “tradhtova”

Prezantuesi i njohur televiziv, Adi Krasta vjen me një rrëfim ndryshe në emisionin televiziv “Histori Suksesi” në RTV Dukagjini.

Ai tregon se mbiemrin Krasta e ka marrë nga kodra e Krastës në qytetin e Elbasanit, pasi paraardhësit e tij kishin prejardhje nga ky vend.

Krasta rrëfen se prindërit e tij janë me profesione nga fusha të përafërta nga mjekësia dhe të tillë e dëshironin edhe të birin, por këtë dëshirë të tyre ai thotë se nuk u ka plotësuar.

“Neve na ka shkuar mirë jeta, të bëjmë edhe djalin të tillë që edhe atij t’i shkon jeta mirë. “Tradhtia” që unë iu bëra vendimit të tyre, ishte shumë e rëndë për ta dhe të sharat që unë kam hëngër i mbaj mend edhe sot”, rrëfen Adi Krasta.

Autori i shumë emisioneve thotë se Kosova edhe para viteve të çlirimit ishte një çështje shumë e ndjeshme për shqiptarët.

“Më duhet ta nënvizoj me të madhe , në Shqipëri e duan Kosovën pa kusht”, tregon më tej Krasta, përcjell Telegrafi.

Ai rrëfen edhe një nga momentet më të vështira në karrierën e tij kur ishte sulmuar fizikisht në vitin 1995.

“Pas një shfaqjeje me titullin “Malësori mbi kalë”, simpatizantë të z.Sali Berisha nuk ishin të përgatitur për një televizion të hapur dhe më kanë sulmuar”.

Krasta njihet për publikun e gjerë mbarëshqiptar edhe për realizimin e një prej produkteve më të suksesshme mediatike shqiptare, “Ethet”.

“Unë mendoj që “Ethet” janë jo vetëm kulminacioni i suksesit por edhe i pjekjes sime si njeri televiziv. Por, nuk ishte fundi pasi gjëra të mira jam duke bërë edhe aktualisht”, deklaroi ndër të tjera Adi Krasta./Telegrafi/

Exit mobile version