Site icon Telegrafi

Ademi vlerëson lartë edicionin e ri në Superligë, flet për ndihmën që FFK i bëri klubeve dhe paralajmëron dënime të rënda për gjyqtarët

Superliga e futbollit në Kosovë këtë edicion është jashtëzakonisht interesante me format të ri të garave.

Federata e Futbollit të Kosovës vendosi që për edicionin 2020/2021 të jenë 10 skuadra pjesëmarrëse ku do të luhen 36 xhiro.

E kjo ka rezultuar një sukses, pasi si asnjëherë më parë është bërë interesante dhe atraktive elita e futbollit kosovar.

E për edicionin e ri në Superligë, ndihmat për klubet gjatë pandemisë, për gabimet e gjyqtarëve dhe fundin e këtij edicioni ka folur Agim Ademi për Telegrafin.

Agim Ademi ka thënë që Superliga me 10 ekipe është më atraktive ndërsa janë të lumtur si federatë për klubet që po investojnë dhe kampionati është duke u ngritur çdo ditë e më shumë.

“Superliga me 10 skuadra është shumë më e mirë, shumë më rezultativ dhe sigurisht shumë më atraktive. E kem fatin që edhe në pandemi ekipet janë përforcuar edhe nga ana e futbollistëve e trajnerëve, por edhe nga ana e financave. Jemi të lumtur se si klubet kanë arritur të investojnë sa shumë. Detyra jonë është që t’i mundësojmë atyre djemve me organet tona me gjyqtarë mi zhvillu aktivitetin e vet dhe mi mundësua mi ruajt investitorët pasi kjo ligë vetëm po ngritët”, deklaroi Ademi për Telegrafin.

Ai foli edhe për mjetet që FFK javë më parë i ndau për klubet e Superligës, pasi shtëpia më e madhe e futbollit kosovar i shpërndau secilit klub nga 20 mijë euro si ndihmë për shkak të pandemisë.

“Gjithmonë, gjithmonë i kemi ndihmuar nga fillimi i pandemisë, ka qenë projekt i veçantë për pandeminë. E dimë se klubet i kanë pasur mundësitë në atë kohë, por federata e ka parë të nevojshme dhe të arsyeshme të ju ndihmojë pasi kanë qenë shpenzime të pa planifikuara”.

“Realisht ne nuk kemi marrë ndonjë fond për pandemi, por kemi pasur fonde të tjera pasi federata nuk ka shpenzime të mëdha, nuk ka paga të ekzagjeruara as shpenzime tjera, pasi është një institucion normal si gjithë të tjerat. Klubet nuk i kemi ndihmuar vetëm me para të gatshme, pasi i kemi hequr nga kuotizimi që është 15 mijë euro, i kemi hequr barrën për pagesat e gjyqtarëve që është diku rreth 25 mijë euro në vit pastaj edhe me mjete tjera materiale si diku fanella e diku topa. Tani kemi filluar t’i ndihmojmë edhe me fusha ndihmëse edhe gjëra tjera. Kemi ndihmuar nga shkollat e futbollit deri tek shkollat private. Në investojmë vetëm për futbollin”, vazhdoi tutje Ademi.

Tutje presidenti i FFK-së foli edhe për ankesat e klubeve në drejtim të gjyqtarëve, pasi këta të fundit kanë ditur të bëjnë disa gabime që i kanë kushtuar njërës apo tjetrës skuadër.

“Pikërisht në këtë xhiro ka pasur disa ankesa nga disa klube, ndoshta edhe disa gabime nga gjyqtarët, por pikërisht sot i kam ftuar të gjithë referët dhe sigurisht që nuk do të lejojmë që gjyqtari të bëhet protagonisti kryesor në ndeshje. Zero tolerancë për gabimet, por edhe klubet sigurisht që do ta kenë zero tolerancë në ankesat e pabaza që të ankohen në gjyqtarë nëse nuk fiton ndeshjen. Secili duhet ta mbajë fajin e vet. Dënimet do të jenë drastike nëse dikush gabon, sigurisht edhe gabimi pa qëllim do të dënohet, por gabimi me qëllim atëherë ai gjyqtarë do të merret edhe me pjesën ligjore”, tha Ademi.

Sa i përket përfundimit të kampionatit në pandemi, numri një i FFK-së tha se është e vështirë, por duhet t’i bindet ligjeve të shtetit.

“Jashtëzakonisht e vështirë për të shkuar deri në mbylljen e kampionatit. E falënderojë shtetin, ministrinë e sportit dhe atë të shëndetësisë. Kemi qenë strikt sa i përket rregullave dhe protokollit, i kemi ndihmuar klubet edhe me dezinfektues e gjëra të tjera. Do ta rrisim nivelin. Sigurisht do të mundohemi të ecim drejtë për mos tu ndaluar futbolli. Nëse njëherë vije në shprehje shëndeti i sportistëve atëherë në plan të dytë do të jenë garat”.

“Dëshira e UEFA-së është që mos të ndërprehet kampionati, pasi vet UEFA ka bërë hapa përpara për t’i lejuar ndeshjet. Përkundër që është rritur numri mendoj që ky intensitet do bije në fund të vitit dhe në pranverë shpresoj që gjithçka të jetë në rregull”, përfundoi Agim Ademi. /Telegrafi/

Exit mobile version