Telegrafi

Ademi shpreson në një short të mirë për Euro 2024

Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës ka hyrë në ceremoninë e tërheqjes së shortit për Kampionatin Evropian 2024, që në orën 12:00, fillon në Frankfurt.

Presidenti Ademi në prag të tërheqjes së shortit ka shprehur shpresën që këtë herë Kosova të ketë fat në short.

“Besoj shumë në ekipin tonë, në forcën dhe përkushtimin e futbollistëve tanë. Shpresoj që të kemi edhe fat në short për ta përmbushur me këtë gjeneratë ëndrrën dhe dëshirën e të gjithëve për kualifikim në Evropian”, ka theksuar kreu i FFK-së pak para hyrjes në ceremoninë e shortit, i shoqëruar nga përzgjedhësi Alain Giresse, u.d.sekretari i përgjithshëm Taulant Hodaj, drejtori i kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala.

Në shortin e sotëm marrin pjesë 53 ekipe kombëtare, pasi Gjermania si organizatore e turneut final EURO 2024 kualifikohet automatikisht dhe nuk merr pjesë në short, ndërkaq Rusia është e përjashtuar nga të gjitha garat e UEFA-s për shkak të agresionit në Ukrainë.

Kosova bën pjesë në vazon e katërt, derisa për arsye politike nuk do të mund të përfshihet në të njëjtin grup me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Serbinë. /Telegrafi/