Telegrafi

Ademi: Me punën që është bërë dhe po bëhet, stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ do ta marrë licencën për ndeshje ndërkombëtare

(Foto: Facebook/Agim Ademi)

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë një vizitë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, për të cilin ka thënë se është i gatshëm për edicionin e ri dhe se fusha është në gjendje shumë të mirë.

Sipas tij, me punën që është bërë dhe po bëhet, ky stadium do ta marrë licencën për ndeshje ndërkombëtare të ekipeve tona.

“Sot e vizitova stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, i cili është bërë një ndër arenat më të bukura sportive në vend”.

“Ky stadium është i gatshëm për edicionin e ri, derisa fusha është në gjendje shumë të mirë”.

Lexo po ashtu Ademi tregon si duket projekti i FFK-së për rritjen e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri”

“Tani kanë mbetur të plotësohen edhe disa kritere dhe më pas do të ftohet Komisioni i UEFA-s për licencim dhe kategorizim të stadiumeve”.

“Sigurisht se me punën që është bërë dhe po bëhet, ky stadium do ta marrë licencën për ndeshje ndërkombëtare të ekipeve tona”.

“Jam i kënaqur me mirëmbajtjen e mirë të këtij impianti dhe uroj që të vazhdohet kështu edhe në të ardhmen”.

“Ky stadium ka arritur në këtë nivel në saje të Memorandumit të Bashkëpunimit për investim të përbashkët ndërmjet MKRS-së, FFK-së dhe Komunës së Podujevës, derisa vitin e kaluar FFK ka investuar sërish në shtrimin e fushës natyrale”, ka shkruar presidenti Ademi. /Telegrafi/