Site icon Telegrafi

Ademi në takim lamtumirës me Oer: Maqedonia ta përmbush marrëveshjen politike

Bashkimi evropian ta ruajë politikën e zgjerimit, ndërsa Maqedonia ta përmbush marrëveshjen politike për dalje nga kriza, janë porositë nga takimi i sotëm lamtumirës të zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Arbër Ademi dhe ambasadores së Francës në Maqedoni, Lorens Oer, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ademi e ka falënderuar ambasadoren Oer për bashkëpunimin e suksesshëm duke i dëshiruar sukses në angazhimet e saj të mëtejme.

Ambasadorja Oer ka theksuar se Franca do të vazhdojë me mbështetjen për integrimet evropiane të Maqedonisë duke theksuar se nevojitet thellim i mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.

Sa i përket gjendjes aktuale politike të dy bashkëbiseduesit e kanë theksuar rëndësinë për përmbushje të tërësishme të marrëveshjes politike dhe organizim të zgjedhjeve të besueshme dhe demokratike si dhe zbatimin e reformave nga agjenda evropiane në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Zëvendëskryeministri Ademi dhe ambasadorja Oer janë pajtuar që krahas sfidave me të cilat ballafaqohet BE, nevojitet të ruhet përqendrimi edhe në politikën për zgjerim, si një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian./Telegrafi/

 

Exit mobile version